Futboll

Tifozët e Dritës ftojnë “mbledhje të madhe” pas sulmit nga drejtori Zymberi

Intelektualet

“Intelektualët”, grupi i tifozëve të Dritës, ka ftuar mbledhje të të gjithë tifozëve për të dielën, pas sulmit që drejtori sportiv i klubit të futbollit Drita, Valon Zymberi, ia bëri udhëheqësit të tifo-grupit, Taulant Byqmetin.

Në një postim në Facebook, “Intelektualët” kanë thënë se ajo që ka ndodhur të mërkurën “është sulmi më brutal dhe më i shëmtuar në histori të sportit në Kosovë, i prirë nga zyrtarët e klubit kundrejt Intelektualëve, është sulm i paprecedent dhe i papranueshëm nga të gjithë ne”.

“Andaj kemi vendosur që të mblidhemi dhe t’i diskutojmë të gjitha”, thuhet në thirrjen e tifozëve për takimin e ftuar në teatrin e qytetit të Gjilanit në mbrëmjen e së dielës.

“Drita është shtëpia jonë. Sulmet nuk na ndalin, vetëm na forcojnë”, përfundon postimi.

Pak orë pas humbjes nga Prishtina në Kupën e Kosovës të mërkurën, drejtori Zymberi i shoqëruar nga dy persona të tjerë sulmuan udhëheqësin e tifogrupit. Videot treguan qartë incidentin.

Me vendim të Gjykatës, Zymberit dhe dy të tjerëve iu ndalua t’u afrohen vendit apo personit të caktuar dhe janë të obliguar ët paraqiten në stacionin policor. Ata dyshohen për veprën penale “lëndim të lehtë trupor”. Ishin ndaluar për 48 orë, ndërsa të premten u liruan. 

Pas sulmit, klubi i ka dalë në përkrahje Zymberit. (Lexo këtu)

“Intelektualët” janë një prej tifogrupeve më të mëdha në vend.