Tifozët ultras të Atalantas janë pajtuar që ndeshja e Serie A kundër Lecces nuk duhet të luhet dhe kanë njoftuar për veprime nëse një gjë e tillë ndodh.
Lecce nuk ka dëshirë të luajë ndaj Atalantas të dielën në mbrëmje, vetëm tre ditë pas vdekjes së papritur të fizioterapeutit, Graziano Fiorita.
Termini i parë për zhvillimin e këtij ballafaqimi ishte të premten, por u shty pasi 47-vjeçari vdiq të enjten.
“Ne jemi afër Lecces, tifozëve të tyre dhe familjes së Fioritas”, kanë shkruar tifozët ultras të Atalantas në Instagram, raporton “Calcioatalanta” të shtunën.
“Nëse Atalanta-Lecce zhvillohet më 27 prill, nuk do të shfaqim banerë, nuk do t’i shpalosim flamujt dhe nuk do të organizojmë atmosferë. Do të qëndrojmë në qetësi në nder të skuadrës së Lecces dhe familjes së Fioritas”.
Lecce të premten kujtoi fizioterapeutin me video emocionuese.
Ai u gjet i vdekur në një hotel në Brescia.