Futboll

Tifozët e Arsenalit thumbojnë Kanen me emrin e Xhakës

Harry Kane, Granit Xhaka

Harry Kane është përballur me një situatë të sikletshme gjatë intervistës që po jepte pas ndeshjes Arsenal-Bayern. Në momentin që sulmuesi i ‘Bavarezëve’ po fliste, disa tifozë të Arsenal nuk e kanë lënë të qetë.

Tifozët e “Topçinjve” filluan të thërrisnin në kor, “Granit Xhaka, Granit Xhaka, Granit Xhaka është në krye të ligës suaj”, duke mos i kursyer aspak thumbimet për sulmuesin anglez të Bayernit, i cili gjatë verës u largua nga Tottenhami me qëllim që të fitonte trofe.

Por Bayerni këtë edicion është eliminuar nga Kupa e Gjermanisë dhe shanset për titull të Bundesligës janë minimale, pasi Leverkusenit i duhet veç edhe një fitore për ta siguruar matematikisht kampionin. E vetmja shpresë që Kane të ngre trofe mbetet Liga e Kampionëve.

Arsenali dhe Bayerni barazuan 2:2 në “Emirates” në ndeshjen e vlefshme për çerekfinalen e Ligës së Kampionëve. Ndeshja e kthimit luhet pas një jave.

VIDEO: