Tifozat Kuq e Zi e kanë vlerësuar “turp” faktin se 20 për qind e stadiumit “Arena Kombëtare” nuk do të jetë e mbushur me shikues të zakonshëm në ndeshjen e Shqipërisë ndaj Serbisë. Këtë dënim FSHF-së ia shqiptoi FIFA të martën.
Për dënimin e FIFA-s, TKZ ka fajësuar federatën shqiptare.
“Në vend që të garantojë një atmosferë sportive dhe të mbrojë tifozët besnikë, në prag të ndeshjeve vendimtare të Kombëtares, FSHF zgjedh t’i përjashtojë ata. Më keq akoma, vë në lëvizje gjithë aparatin shtetëror kundër tifozëve shqiptarë, sikur të ishin kriminelë ordinerë. Vendimi i FIFA-s për të dënuar FSHF-në është vetëm pasqyra e një sëmundjeje më të thellë – inkompetencës strukturore dhe mungesës së vizionit. Një institucion që nuk arrin të organizojë siç duhet një ndeshje futbolli, ka kurajon të ëndërrojë organizimin e një Kampionati Evropian”, shkruan në një qëndrim të Tifozave Kuq e Zi, të publikuar të martën mbrëma.
Sipas TKZ, vendimi i FIFA-s është “goditje e FSHF-së ndaj tifozëve”.
“Manipulimi i vazhdueshëm me ndjenjat e tifozëve – herë me zhvendosje të ndeshjeve në Elbasan, herë me kërcënime për mbyllje sektorësh – ka pasur një qëllim të vetëm: t’i largojë ata që e ndjekin Kombëtaren kudo. Këtë herë, goditja është edhe më e ulët: penalizohen pikërisht ata tifozë të organizuar që janë treguar shembull sjelljeje dhe përkushtimi në stadiume. Aftësia e vetme e kësaj federate të dështuar është rritja e çmimeve të biletave. Kjo është ‘strategjia’ e tyre: të zhvasin tifozët e ndershëm për të mbuluar paaftësinë e vet. Në vend që të marrin përgjegjësinë, ata zgjedhin rrugën më të lehtë: të ‘vrasin’ futbollin shqiptar, duke ndëshkuar ata që e mbajnë gjallë pasionin për Kombëtaren. Ky nuk është thjesht një dënim – është një pasqyrë e qartë e dështimit total të FSHF-së për të mbrojtur futbollin, tifozët dhe imazhin e Shqipërisë”, shkruan në qëndrimin e TKZ.