Futboll

Thirrjet për të cilat FIFA e dënoi Shqipërinë për ndeshjen ndaj Serbisë

Shqipëri

Një e pesta e stadiumit “Arena Kombëtare” në Tiranë nuk do të jetë e mbushur me tifozë të zakonshëm për ndeshjen Shqipëri – Serbi, që zhvillohet më 7 qershor. Ndeshja u takon kualifikimeve për Kampionatin Botëror të vitit 2026, ndërsa Federata Ndërkombëtare e Futbollit (FIFA) ka dënuar Federatën Shqiptare të Futbollit me mbylljen e 20 për qind të stadiumit për ndeshjen e ardhshme si vendëse të Kombëtares A.

Ndeshja e ardhshme është me Serbinë, që vlerësohet më e rëndësishmja e këtyre kualifikimeve. Interesimi për ta parë nga afër këtë ndeshje pritet të jetë shumë i madh.

FIFA ka dënuar FSHF-në për fyerje që janë bërë në ndeshjen ndaj Andorrës. FSHF-ja nuk njoftoi se për cilat fyerje bëhet fjalë, por të premten mediet tiranase kanë njoftuar se bëhet fjalë pikërisht për fyerje të bëra ndaj Serbisë dhe ndaj serbëve.

Bëhet fjalë për dy incidente që ndodhën në minutën e tretë të ndeshjes. Kjo është bërë e ditur në raportin e delegatit të ndeshjes. Fillimisht rreth 50 tifozë kanë thirrur “ubij, ubij, ubij srbina”, që do të thotë “mbyte serbin”. Sipas raportit të delegatit, kjo thirrje ka zgjatur prej 15 deri në 20 sekonda.

VIDEO

Edhe shkelja e dytë, që i kushton shtrenjtë Shqipërisë, ndodhi në minutën e tretë të ndeshjes. Sërish rreth 50 tifozë, sipas raportit të delegatit, kanë bërë thirrje “vrite, shkatërroje, serbin masakroje”. Kjo thirrje është bërë për rreth 30 sekonda.

Të dy thirrjet delegati i FIFA-s i ka vlerësuar “ksenofobe”. Sipas raportit, “thirrjet nxisin urrejtje dhe dhunë ndëretnike kundër etnisë serbe”.

Federata Shqiptare e Futbollit është gjobitur edhe me 20 mijë franga zvicerane, por dënimi me mbylljen e 20 për qind të stadiumit vlerësohet dukshëm më i rëndë.

“Panorama Sport” ka shkruar se thirrjet u bënë nga tribuna pas portës ku ishin Tifozat Kuq e Zi dhe ata të Ilyrian Elite. Në videot e publikuara nga momenti kur janë bërë thirrje, shihet që një pjesë e tribunës është e zbrazët. Këto grupe ishin larguar në fillim të ndeshjes në shenjë revolte ndaj FSHF-së dhe presidentit të saj, Armand Duka, për organizimin e përbashkët të Euro 2027 për futbollistët U21 bashkë me Federatën e Futbollit të Serbisë.

Ndeshja Shqipëri – Andorrë ishte zhvilluar më 24 mars në “Arena Kombëtare” në Tiranë. “Kuqezinjtë” kishin fituar 3:0.

FIFA ka specifikuar në vendim se tribunat pas portave kanë prioritet me rastin e zbatimit të dënimit për mbylljen e 20 për qind të stadiumit. Por 20 për qind e tribunave të mbyllura për tifozët e rregullt, mund të mbushen me grupe të komunitetit ose organizata kundër diskriminimit. Në vendim shkruan se me leje të FIFA-s kjo pjesë e stadiumit mund të mbushet me familje, studentë apo organizata kundër diskriminimit. Por për këtë duhet të plotësohen kushte të caktuara të vëna nga FIFA.

“Federata u bën thirrje tifozëve që të vazhdojnë të mbështesin Kombëtaren, duke krijuar një atmosferë të ngrohtë dhe pozitive dhe i fton të tregojnë qytetari dhe respekt përmes sjelljes korrekte ndaj ekipit kundërshtar, për të shmangur çdo situatë që mund të dëmtojë ekipin kuqezi”, shkruan në njoftimin e FSHF-së të publikuar të martën.

Tifozat Kuq e Zi, që përkrahin vazhdimisht Kombëtaren e Shqipërisë, kanë fajësuar FSHF-në për dënimin e FIFA-s.

“Vendimi i FIFA-s për të dënuar FSHF-në është vetëm pasqyra e një sëmundjeje më të thellë – inkompetencës strukturore dhe mungesës së vizionit. Një institucion që nuk arrin të organizojë siç duhet një ndeshje futbolli, ka kurajën të ëndërrojë organizimin e një Kampionati Evropian! Manipulimi i vazhdueshëm me ndjenjat e tifozëve – herë me zhvendosje të ndeshjeve në Elbasan, herë me kërcënime për mbyllje sektorësh – ka pasur një qëllim të vetëm: t’i largojë ata që e ndjekin Kombëtaren kudo. Këtë herë, goditja është edhe më e ulët: penalizohen pikërisht ata tifozë të organizuar që janë treguar shembull sjelljeje dhe përkushtimi në stadiume”, shkruan në reagimin e TKZ.

FSHF-ja ende nuk ka nxjerrë në shitje biletat për ndeshjen me Serbinë. Nuk ka njoftuar se kur do të bëjë këtë.