Mediumi i madh anglez, “The Guardian”, ka publikuar listën e 60 futbollistëve më të talentuar botërorë, shkruan të mërkurën mediumi suedez, “fotbolldirekt.se”.
Në mesin e tyre është edhe Bleon Kurtulus, vëllai i vogël i ish-kapitenit të Kosovës U21, Edvin Kurtulus.
Që të dy janë të lindur e të rritur në Suedi, ndërsa me prejardhje janë nga Prizreni.
Edvin Kurtulus tani luan për Ludogoretsin në Bullgari, ndërsa ka 12 paraqitje me Kosovën U21. Më pas vendosi ta përfaqësojë Suedinë, përfaqësuese me të cilën ka katër paraqitje.
Bleoni 17-vjeçar, që po ashtu luan si qendërmbrojtës, aktivizohet te skuadra e Halmstadsit në elitën e futbollit suedez. Në edicionin aktual ka katër paraqitje. Ndërkohë, ka luajtur për grupmoshat U16 dhe U17 të Suedisë.
Në listën e këtij viti, “The Guardian” ka shkruar për futbollistët e talentuar, të lindur në vitin 2007.
Në mesin e tyre, mediumi i madh anglez ka përfshirë edhe Lamine Yamalin, Estevaon e Pau Cubarsin.
“Kjo është shenjë që kam punuar fort çdo ditë. E di çfarë dua në futboll. Vetëm talenti nuk më dërgon aty ku unë dua, por duhet të punojë fort”, ka deklaruar Kurtulus për “Expressen”.