Futboll

Teste angleze për Real Madridin dhe PSG-në në çerekfinale të Championsit

Mbappe

Dy skuadra angleze qëndrojnë në rrugën e një gjysmëfinaleje të shkëlqyer në Ligën e Kampionëve mes Real Madridit dhe Paris Saint-Germainit. Te Madridi po shkëlqen Kylian Mbappe, që për kohë të gjatë ishte lojtar i PSG-së.

Mbappe dhe Madridi të martën prej orës 21:00 luajnë në Londër kundër Arsenalit në ndeshjen e parë çerekfinale të Championsit. Ndeshja e kthimit është më 16 prill.

Parisi tashmë e ka fituar titullin e kampionit në Francë, pa e pësuar asnjë humbje. Skuadra e Luis Enriques e pret të mërkurën Aston Villan në ndeshjen e parë çerekfinale.

Formati i ri i Ligës së Kampionëve i vendosi këto katër skuadra në njërën anë të shortit.

PSG-ja nuk ka qenë asnjëherë kampion evropian. Gjatë shtatë vjetëve të Mbappes në skuadër, Parisi ka arritur vetëm një herë në finale të Championsit.

Në një të tetën e finales, Parisi shkëlqeu. Por e eliminoi Liverpoolin, liderin e kampionatit anglez, vetëm pas gjuajtjes së penalltive. Nëse për bazë merret Premier League, atëherë Liverpooli është ekip dukshëm më cilësor se Aston Villa, që megjithatë po kalon formë të lartë së fundi.

Pjesa tjetër e shortit ka tre liderë të ligave nacionale dhe një skuadër që është vetëm e teta në renditje.

Bayern Muncheni e pret Interin të martën në stadiumin ku zhvillohet finalja më 31 maj.

Të mërkurën Barcelona luan me Borussia Dortmundin, ndërsa llogaritet favorite e madhe. Dortmundit ndoshta do t’i duhet triumfi në Champions për të siguruar paraqitjen në garën elitare evropiane në edicionin e ardhshëm. Në Bundesligë ka mbetur shumë prapa.

Rruga e vështirë e Madridit

Real Madridi po e kërkon trofeun e 16-të evropian, por ka rrugë të vështirë sa edhe ajo e kampanjës epike të vitit 2022, kur kaloi PSG-në e Mbappes, Chelsean, Manchester Cityn dhe Liverpoolin në finale.

Këtë edicion skuadra e Carlo Ancelottit ka kaluar Manchester Cityn dhe Atletico Madridin. Duhet të kalojë edhe Arsenalin e Mikel Artetas, që ka mbetur me vetëm një shans për të fituar trofe.

Mbappe dhe mbrojtësi Antonio Rudiger, që shënoi penalltinë vendimtare ndaj Atleticos, u lejuan të premten nga UEFA që të luajnë në Londër. Dënimi i tyre me një ndeshje moslojë për festim të tepruar u shndërrua me dënim me një kusht për periudhë njëvjeçare.

Ekipet në formë

Ndeshja mes PSG-së dhe Aston Villas vë përballë dy skuadra që po kalojnë formë të lartë.

Bilanci i Parisit prejse përfundoi vetëm i 15-ti në fazën e ligës në Champions, në janar, është 16 fitore në 17 ndeshje në të gjitha garat. Humbjen e vetme e kishte nga Liverpooli në një të tetën e finales së Championsit. Ishte në fakt një humbje pa fat, në një ndeshje të dominuar nga parisienët. Dhe Parisi u revanshua në “Anfield” për të bërë vend në çerekfinale.

Villa, që për trajner e ka Unay Emeryn, ka shtatë fitore rresht. Skuadra angleze është në këtë fazë të garës për herë të parë në 42 vjetët e fundit.

Golashënuesit më të mirë

Ndeshja e Barcelonës me Borussia Dortmundin bashkon dy golashënuesit më të mirë të garës, plus Robert Lewandowskin.

Raphinha i Barcelonës është golashënuesi më i mirë me 11 gola, ndërsa sulmuesi i Dortmundit, Serhou Guirassy i ka dhjetë gola. Dhjetë i ka edhe Harry Kane i Bayernit.

Raphinha e Giurassy shënuan në dhjetor, kur Barcelona fitoi 3:2 në Dortmund në ndeshjen e fazës së ligës në Champions.

36-vjeçari Lewandowski vazhdon të jetë efikas në Ligën e Kampionëve. Ka nëntë gola tashmë. Në Champions gjithsej i ka shënuar 103 gola. 17 prej tyre i kishte te Dortmundi, nga viti 2011 deri në vitin 2014.