Futboll

Test i suksesshëm i kuqezinjëve, fitore 3:0

Shqipëria

Testi i parë për Euro 2024 ishte i suksesshëm për Kombëtaren e Shqipërisë, të paktën sa i takon rezultatit.

Të hënën mbrëma në Szombathely të Hungarisë, kuqezinjtë fituan 3:0 ndaj Lihtenshtajnit. Ndeshja në fakt shërben më shumë për të gjetur ritmin e duhur dhe për vetëbesim të lojtarëve. Niveli i paraqitjes vështirë se mund të matet me ndeshjen ndaj Lihtenshtajnit, që është prej përfaqësueseve më të dobëta në Evropë. Në ranglistën e FIFA-s, Lihtenshtajni është në vendin e 202-të.

Fitorja e të përzgjedhurve të Sylvinhos është pritur. Është pritur edhe dominimi i plotë në fushë dhe nuk kishte befasi në këtë drejtim.

Pas sulmeve rresht në pjesën e parë, për 1:0 realizoi sulmuesi kryesor i Shqipërisë, Armando Broja. Nedim Bajrami kreu shpejt një goditje dënimi, duke pasur për Brojën në zonë. Broja goditi saktë dhe dërgoi topin në rrjetë.

Me të nisur pjesa e dytë kuqezinjtë shënuan golin e dytë. Jasir Asani realizoi supergol nga goditja e dënimit në minutën e 47-të.

Në minutën e 67-të topi në zonë erdhi tek Ernest Muçi që shënoi në portë të zbrazët. 

Selektori Sylvinho ka bërë gjashtë zëvendësime, duke aktivizuar kështu plot 17 lojtarë. Debutoi edhe Medon Berisha, që u aktivizua në minutën e 76-të në vend të Jasir Asanit.

Kombëtarja vazhdon përgatitjet në Austri, ndërsa pas katër ditësh luan me Azerbajxhanin, në stadiumin e njëjtë. Më pas udhëton në Gjermani ku do të paraqitet në Euro 2024.

Përballë do të ketë kundërshtarë të nivelit dukshëm më të lartë se Lihtenshtajni e Azerbajxhani. Më 15 qershor luan ndaj Italisë në Dortmund. Më 19 qershor ndaj Kroacisë në Hamburg e më 24 qershor ndaj Spanjës në Duesseldorf. Shpresat e tifozëve të shumtë të Kombëtares janë që ndeshja ndaj Spanjës nuk do të jetë e fundit në Evropian.


Nuk ndalen kuqezinjtë, shënojnë golin e tretë

Shqipëria po shkëlqen ndaj përfaqësueses inferiore të Lihtenshtajnit.

Për 3:0 shënoi Ernest Muçi në minutën e 67-të. Ai realizoi nga afërsia.


Shqipëria shënon për 2:0, supergol i Asanit

Jasir Asani ka shënuar supergol në minutën e 47-të për 2:0 në të mirë të Shqipërisë në  miqësoren ndaj Lihtenshtajnit. Asani shënoi nga një goditje dënimi.


Shqipëria dominon plotësisht, shënon vetëm një gol në pjesën e parë

Kombëtarja e Shqipërisë, ashtu si pritej, ka dominuar plotësisht në pjesën e parë të ndeshjes miqësore ndaj Lihtenshtajnit.

Pas pjesës së parë rezultati është 1:0 në të mirë të kuqezinjve.

Armando Broja shënoi golin në minutën e 31-të. Lojtarë të tjerë pritet ta fitojnë rastin në pjesën e dytë të miqësores në Hungari.

Kjo është njëra prej dy ndeshjeve përgatitore të kuqezinjve për Euro 2024.


Shqipëria në epërsi, shënon Broja

Shqipëria ka kaluar në epërsi 1:0 ndaj Lihtenshtajnit në miqësoren në Hungari.

Në minutën e 31-të, Nedim Bajrami nisi shpejt një aksion, ndërsa Armando Broja shënoi gol të bukur.


Publikohet formacioni i Shqipërisë, Hoxha startues

Arbër Hoxha do të paraqitet nga minuta e parë për Shqipërinë në ndeshjen miqësore kundër Lihtenshtajnit. Ndeshja miqësore në mes të Shqipërisë dhe Lihtenshtajnit luhet sonte nga ora 20:00 në Hungari.

Sylvinho ia ka besuar portën Etrit Berishës, ndërsa në mbrojtje do të paraqiten Ivan Balliu, Ardian Ismajli, Arlind Ajeti dhe Mario Mitaj.

Mesfusha përbëhet nga Klaus Gjasula, Kristjan Asllani dhe Nedim Bajrami, ndërsa në sulm do të paraqiten krahas Hoxhës edhe Armando Broja dhe Jasir Asani.