Futboll

“Telashe” për selektorin e ri të Anglisë para ndeshjes me Shqipërinë

Tuchel

Ndeshja ndaj Shqipërisë do të jetë debutuese për selektorin e ri të Anglisë, gjermanin Thomas Tuchel. Ai mori drejtimin e përfaqësueses angleze më 1 janar, ndërsa për herë të parë në stol do të jetë më 21 mars në “Wembley” në ndeshjen ndaj kuqezinjve.

Ndeshja Angli – Shqipëri u takon kualifikimeve për Kampionatin Botëror të vitit 2026.

Anglia është favorite e madhe e Grupit K, ku janë edhe Serbia, Letonia dhe Andorra.

Por gjermani i njohur nuk është pa “telashe” para ndeshje me Shqipërinë. Mediat angleze kanë shkruar se selektori i ri ka në listë plot 55 lojtarë prej të cilëve duhet të zgjedhë ekipin për ndeshjet me Shqipërinë dhe atë me Letoninë që zhvillohet më 24 mars po në “Wembley”.

Tuchel pritet ta shpallë listën pas një jave. Lista e yjeve të Anglisë është e gjatë dhe Tucheli duhet të vendosë për të mirët prej tyre. Tekniku gjerman ka folur me shumicën dërrmuese të lojtarëve.

Shefi ekzekutiv i Federatës së Futbollit të Anglisë, Mark Bullingham, është i impresionuar me ish-trajnerin e Chelseat.

51-vjeçari ka firmosur për 18 muaj me federatën angleze. Ai është vendosur në Londër, ndërsa ka punuar në qendrën nacionale të federatës angleze këtë javë dhe ishte në ndeshjen e Kupës FA në mes të Nottingham Forestit dhe Ipswichit.

Anglinë për shumë vjet e drejtoi Gareth Southgate dhe me Tuchelin nisë etapë e re.

“Gareth ishte shumë, shumë i lidhur dhe ka punuar shumë mirë. Mendoj se Thomasi është i njëjti dhe ai e kuptoi menjëherë që nuk krijohen lidhjet e duhura me lojtarët në 60 ditët që mblidheni gjatë vitit. Kështu që ai ka bërë shumë përpjekje për këtë. Unë mendoj se ai i ka 55 lojtarë në listë të gjerë dhe sigurohet që të ketë lidhje të fortë me lojtarët, që ata ta dinë që ai i ka parë. Nuk janë vetëm lojtarët në Angli, por edhe lojtarët që luajnë në vende tjera. Dhe mendoj se kjo do t’i bëjë mirë atij në planin afatgjatë”, ka thënë Bullingham, shkruan “The Sun”.

Tucheli së fundi drejtoi Bayernin. Më herët ishte edhe te Parisi, Borussia Dortmundi dhe Mainzi, pos te Chelsea.

“Ai ka pasur ndikim të menjëhershëm dhe nuk është ndalur duke punuar. E kemi parë në një numër të konsiderueshëm ndeshjesh. Ai gjithashtu ka integruar ekipin e vogël sportiv që solli me vete”, ka shtuar udhëheqësi i federatës angleze.

Bullingham ka thënë se tashmë kanë nisur të mendojnë për Botërorin e vitit 2026. Por fokusi është te ndeshja e parë me Shqipërinë. Të gjitha biletat për ndeshje janë shitur.

Ndonëse nuk ka drejtuar asnjë ndeshje, në Federatën Angleze janë shumë të kënaqur me Tuchelin. Dhe nuk e përjashtojnë mundësinë e vazhdimit të kontratës, që është e vlefshme deri në Botëror.

“Ne kishim një ekip brilant trajnerësh në të kaluarën, kështu që ai e kishte një detyrë të vështirë para vetes. Por Tuchel është karizmatik dhe energjik, dhe ne thjeshtë e kemi pritur këtë ndikim pozitiv”.

Ndonëse Botërori është larg, Anglia vlerësohet se ka gjasa të mëdha për të luftuar për titull.