Futboll

Te Rubini tregojnë pse nuk e shitën Dakun te Cagliari

Mirlind Daku

Drejtori sportiv i Rubin Kazanit, Konstanti Dzyuba, ka treguar pse sulmuesi Mirlind Daku nuk u largua nga klubi rus në afatin kalimtar të verës. Drejtori sportiv i klubit rus ka theksuar se interesimi për Dakun u rrit pas Evropianit “Gjermania 2024”. 

Ndër klubet më të interesuara për 26-vjeçarin ka qenë ai elitar i Italisë, Cagliari. 

“Ka pasur interesim për të si para Evropianit ashtu edhe pas tij. Ka pasur oferta zyrtare. I kemi negociuar. Pas Evropianit interesimi për të u rrit ndjeshëm. Para së gjithash nuk na përshtatej ana financiare, kështu që negociatat e mëtejshme nuk kishin kuptim”, është shprehur Dzyuba. 

Ai nuk ka përjashtuar mundësinë e shitjes së Dakut gjatë vitit të ardhshëm. “Me Mirlindin jemi në bisedime të vazhdueshme. Si çdo lojtar ai ka motivin për t’u rritur. Ka ambicie, por ajo që më pëlqen tek ai është se ka vlerat e duhura. Në këtë fazë ai është i kënaqur me gjithçka në Rubin. Kur të vijë koha për të ndryshuar diçka, ne do ta diskutojmë së bashku dhe do ta marrim një vendim të përbashkët”, ka theksuar drejtori sportiv i Rubin Kazanit për “business-gazeta.ru”. 

Daku në 12 ndeshje për Rubin Kazanin ka shënuar gjashtë gola dhe ka kontribuar me tri asistime.