Futboll

Te Reali besojnë në rikthim: Na duhet diçka e veçantë

Real

“Një vend ku ndodhin gjëra të çmendura është shtëpia jonë”.

Kjo ishte vërejtja që Jude Bellingham ua dha lojtarëve të Arsenalit pasi Real Madridi humbi 3:0 nga “topçinjtë” në ndeshjen e parë çerekfinale të Ligës së Kampionëve, të martën mbrëma në “Emirates”.

Ndeshja e kthimit zhvillohet të mërkurën e javës së ardhshme në “Santiago Bernabeu”.

Madridi asnjëherë nuk ka pësuar humbje më të thellë se 3:0 në fazën nokaut të Ligës së Kampionëve, ndërsa pas fishkëllimës së fundit Bellingham tha se skuadra spanjolle nuk ishte askund afër.

Madridi ka pesë humbje këtë edicion në Champions, ndërsa asnjëherë nuk e ka kaluar këtë numër. Për herë të 12-të një ekip anglez ka fituar me tri apo më shumë gola dallim në fazën nokaut të Championsit. Çdo herë skuadrat angleze kanë avancuar në raundin tjetër pas fitoreve të thella në ndeshjen e parë.

Përkundër kësaj, ylli anglez beson se Real Madridi është ende gjallë në Champions. Madrilenët kanë shumë rikthime dramatike në garën elitare evropiane.

Edicionin e kaluar Real Madridi ishte pak minuta larg eliminimit në gjysmëfinale nga Bayerni, por shënoi dy gola të vonshëm në “Bernabeu”. Tri edicione më parë Madridi shënoi gola shumë të vonshëm ndaj Chelseat dhe Manchester Cityt për të mbetur në Champions. Në të dy rastet skuadra e Carlo Ancelottit e fitoi garën.

“Na duhet diçka vërtetë e veçantë, diçka vërtet e çmendur”, ka thënë Bellingham. “Kemi edhe 90 minuta futboll dhe çdo gjë mund të ndodhë në Bernabeu”.

Ndonëse është i njohur për rikthimet dramatike, Real Madridi asnjëherë nuk është kualifikuar pasi humbi ndeshjen e parë me tri gola dallim.

“Është gjithnjë hera e parë. Duhet të mundohemi. Rikthimi nis sonte”, ka thënë trajneri Carlo Ancelotti.

“Gjasat për kualifikim nuk janë të mëdha, por duhet të provojmë duke dhënë maksimumin. Duhet të bëjmë çdo gjë që mundemi, është një mundësi për t’u përgjigjur pas një ndeshjeje të zbehtë. Nëse merret për bazë ndeshja e parë, atëherë nuk ka gjasa. Por futbolli ndryshon. Në futboll çdo gjë mund të ndodhë. Duhet të besojmë pasi në Bernabeu ka ndodhur shumë herë”, ka shtuar Ancelotti.