Futboll

Te Prishtina i besojnë trajnerit me përvojë nga Franca

Jean-Michel Cavalli

Trajneri me përvojë nga Franca, Jean-Michel Cavalli, njeh vetëm barazime e humbje.që nga 1 dhjetori i vitit 2024 (Foto: FC Prishtina)

Skuadrës së Prishtinës në futboll nuk i ka ndodhur shpesh të përballet me seri të gjatë pa fitore. Por, klubi me më së shumti trofe në Kosovë po përballet me një gjë të tillë. Prishtina është në seri prej nëntë ndeshjeve pa fitore. 

Fitoren e fundit në Superligë Prishtina e kishte arritur ndaj Dukagjinit në Klinë më 1 dhjetor të vitit të kaluar. E pati mposhtur 1:0. Që nga ajo kohë Prishtina nën drejtimin e trajnerit me përvojë nga Franca, Jean-Michel Cavalli, njeh vetëm barazime e humbje. 

Prishtina është në vendin e gjashtë me 31 pikë. Është shumë larg me pikë nga liderja Drita, të cilën e ka kundërshtare në gjysmëfinale të Kupës në futboll. Prishtina tani gjithë fokusin e ka për Kupë të Kosovës. Dhe Kupën synon ta fitojë nën udhëheqjen e trajneri 67-vjear.

“Trajneri nuk do të ndërrohet te Prishtina. Vetëm nëse trajneri largohet vetë, apo për shkaqe shëndetësore. Nuk ka ofruar dorëheqje dhe as nuk e kemi diskutuar atë punë. Presioni është pasi janë mësuar të ndërrohen trajnerët një muaj apo tre muaj, por ne kemi plan afatgjatë te Prishtinë. Unë jam i bindur se ky trajner ka zbuluar shumicën e lojtarëve të rinj që i kemi marrë nga gjeneratat e reja”, ka thënë kryetari i klubit Prishtina, Rrahman Haradini, për KOHËN të enjten. 

Ai ka thurur lavde për punën e trajnerit francez. Ka numëruar edhe arritjet e tij gjatë karrierës si trajner.
Cavalli ka përvojë të gjatë të fituar gjatë karrierës prej tri dekada e gjysmë. Së fundi ishte te Club African në Tunizi. Më herët e drejtoi përfaqësuesen e Nigerit për tre vjet. Drejtoi Oranin në Algjeri, Al Ittihad Alexandrian në Egjipt, Al Hilalin në Sudan. Në Francë ka drejtuar klube të njohura si Lille, RC Paris, Creteil, Ajaccio. Ka punuar edhe në Greqi, Arabi Saudite, Marok, Itali.

Sa u takon përfaqësueseve, pos Nigerit ka drejtuar edhe Algjerinë.

“Kemi një trajner që ka luajtur dhe ka stërvitur tetë lojtarë që kanë fituar ‘Topin e Artë’. Ka udhëhequr klube e përfaqësuese, ku ka pasur ndeshje që janë zhvilluar edhe në praninë e 90 mijë shikuesve. Ka përvojë 35-vjeçare, që në regjion nuk e gjen. Është trajneri i parë që vjen me një bagazh kaq të madh te Prishtina, pavarësisht që nuk i ka ecur fati me rezultate”, është shprehur Haradini.

Ai pranon se rezultatet janë shqetësuese. Por thekson se Prishtina fokusin më të madh e ka te lojtarët e rinj.

“Kur kemi marrë në moshë dhe eksperiencë na kanë akuzuar se kemi marrë pensionistë  dhe pleq. Tani kemi një strategji tjetër. Kemi menduar t’u japim hapësirë më shumë të rinjve. Rezultatet na shqetësojnë, pasi Prishtina lufton gjithmonë për trofe. E kemi humbur garën për titull, por jemi në garë për Kupë. Nëse e fitojmë, e vlerësojmë si të shpëtuar sezonin. Nuk kanë shkuar rezultatet ashtu siç kemi menduar”, thotë Haradini.

Prishtina bëri shumë ndryshime para fillimit të edicionit 2024/2025. Largoi shumë lotjarë. Klubi u përball viteve të fundit me telashe të shumta financiare. Por sipas Haradini, telashet me borxhe janë zgjidhur tashmë.

Prishtina ishte një nga përfitueset më të mëdha nga Ligji për Sponsorizime në fushën e Kulturës, Rinisë dhe Sportit.

Prishtina kishte mbi një milion euro të hyra nga sponsorizimi gjatë vitit 2024, saktësisht 1 milion e 117 mijë e 500 euro.

“Kemi marrë një klub me 2 milionë euro borxh, kurse tani klubi menaxhohet nga mjetet tona financiare dhe sponsorëve. Sot Prishtina është pa borxhe, pavarësisht mungesës së rezultateve, të gjithë janë të paguar. Jemi duke punuar për të ardhmen e kësaj rinie”, ka thënë Haradini. 

Klubi 103-vjeçar prej pavarësimit të futbollit të Kosovës gjatë viteve ‘90 numëron 11 tituj të kampionit, tetë Kupa e 11 Superkupa. Ka luajtur disa herë në Evropë.