Përfaqësuesja e Kosovës në futboll të premten do t’i mësojë kundërshtarët për Kupën e Botës 2026. Shorti i kualifikimeve evropiane për Botërorin që mbahet në SHBA, Meksikë dhe Kanada në vitin 2026, do të tërhiqet prej orës 12:00 në Zurich të Zvicrës.
Kryetari i Federatës së Futbollit të Kosovës (FFK), Agim Ademi, thotë se Kosovës nuk i mungojnë motivi dhe dëshira për t’u kualifikuar në Botërorin 2026. Por për ta arritur kualifikimin, Ademi pret short të favorshëm. Kualifikimi do të ishte sukses i jashtëzakonshëm dhe historik për Kosovën.
“Së bashku me përzgjedhësin Franco Foda po qëndrojmë në Cyrih, ku nesër do të bëhet tërheqja e shortit për Kupën e Botës 2026. Ky është një moment i rëndësishëm për ne dhe shpresoj që Kosova të ketë një short sa më të favorshëm, në mënyrë që të mund të jemi pjesë e këtij eventi madhështor. Motivi është i jashtëzakonshëm, pasi Kosova dëshiron të përfaqësohet në Botërorin e SHBA-së, një vend që e ka mbështetur fuqishëm shtetin tonë dhe që na ka ndihmuar të arrijmë deri këtu ku jemi sot”, ka shkruar Ademi të enjten në rrjetet sociale.
Në short, Kosova do të jetë në vazon e katërt. Pra, të paktën në letër do t’i ketë tre kundërshtarë më të fortë në grup. Është e qartë që Kosova do ta ketë shumë të vështirë kualifikimin në Kupën e Botës.
Kosova ende nuk lejohet të luajë me Serbinë e Bosnjë-Hercegovinën, kurse ndërkohë në listë u shtua edhe Rusia. Rusia aktualisht është e suspenduar nga UEFA.
Për Kosovën do të jetë hera e tretë që paraqitet në kualifikimet për Botëror. Prej dy cikleve të kaluara mund të mburret me vetëm një fitore e tri barazime. Ndërkohë që humbje ishin plot 14. Gjatë kualifikimeve ka pasur edhe kundërshtarë që nuk e njohin shtetin e Kosovës. Të tilla ka në tri vazot e para.
Në vazon e parë është Spanja, që ndërkohë ka zbutur qëndrimin ndaj Kosovës. Në vazon e dytë janë Ukraina, që tashmë të gjitha ndeshjet i luan në terren neutral, pastaj Rumania, Greqia, Sllovakia. Në vazon e tretë është Gjeorgjia, me të cilën Kosova nuk ka raporte diplomatike.
Në short përfshihen 54 shtete që do të garojnë në kualifikimet e Kupës së Botës 2026. 22 prej tyre, përfshirë edhe Kosovën dhe Shqipërinë, ende nuk janë paraqitur në turneun final të Kupës së Botës. Shqipëria ka luajtur në dy Evropiane, 2016 dhe 2024, ndërsa Kosova nuk ia ka dalë asnjëherë të paraqitet ende në një nga ngjarjet më të mëdha të futbollit. Nuk ka qenë as afër.
Kosova në kualifikime për Botëror është paraqitur dukshëm më zbehtë se në kualifikimet për Evropian, ndonëse edhe kualifikimi në ngjarjen kontinentale mbetet shumë i largët.
Kualifikimet për Botërorin që mbahet pas dy vjetësh do të nisin në mars të vitit të ardhshëm. Por Kosova fillimisht në muajin mars do të luajë në plejofin për inkuadrim në Ligën B të Ligës së Kombeve ndaj Islandës.
Vazo 1: Franca, Spanja, Portugalia, Italia, Anglia, Zvicra, Kroacia, Holanda, Danimarka, Gjermania, Belgjika, Austria
Vazo 2: Ukraina, Suedia, Turqia, Uellsi, Hungaria, Serbia, Polonia, Rumania, Greqia, Sllovakia, Çekia, Norvegjia
Vazo 3: Skocia, Sllovenia, Republika e Irlandës, Shqipëria, Maqedonia e Veriut, Gjeorgjia, Finlanda, Islanda, Irlanda e Veriut, Mali i Zi, Bosnjë-Hercegovina, Izraeli
Vazo 4: Bullgaria, Luksemburgu, Bjellorusia, Kosova, Armenia, Kazakistani, Azerbajxhani, Estonia, Qipro, Ishujt Faroe, Letonia, Lituania
Vazo 5: Moldavia, Malta, Andorra, Gjibraltari, Lihtenshtajni, San Marino