Futboll

Te Kosova e vlerësojnë shumë të vlefshme fitoren ndaj Maqedonisë së Veriut

Kosova

Kaltrina Biqkaj vazhdon të jetë lojtare shumë e rëndësishme e përfaqësueses së Kosovës në futboll. Biqkaj, që luan për Trabzonsporin në Turqi, të premten i shënoi dy gola në fitoren e vlefshme të Kosovës ndaj Maqedonisë së Veriut.

Ndeshja e zhvilluar në Shkup përfundoi 4:0 në të mirë të Kosovës, ndërsa ishte e para e edicionit të dytë të Ligës së Kombeve të UEFA-s.

Me fitore Kosova dëshmohet favorite e madhe e Grupit 6 të Ligës C. Në këtë grup është edhe Letonia.

24-vjeçarja Biqkaj shënoi për 1:0 që në minutën e gjashtë. Me këtë rezultat përfundoi pjesa e parë. Me të nisur pjesa e dytë, në minutën e 49-të, Biqkaj shënoi edhe golin e dytë. Më pas gola shënuan edhe Gentiana Fetaj dhe rezervistja Valentina Metaj. Fetaj shënoi në minutën e 65-të e Metaj në minutën e 67-të.

Kosova ka dominuar sipas të gjitha statistikave. Kishte 13 goditje në kornizë të portës, ndërsa Maqedonia e Veriut vetëm një.

“Ka qenë ndeshje fantastike e secilës futbolliste. Gjatë këtyre ditëve në kamp jemi munduar maksimalisht të punojmë me detyra me taktikë e gjithashtu me teknikë të lojës. Sot i kemi përfunduar detyrat dhe morëm një fitore me rezultat bindës. Qëllimi ynë është të inkuadrohemi në Ligën B. E kemi edhe një ndeshje me Letoninë në Prishtinë. Besoj që do të arrijmë të shënojmë fitore dhe të jemi liderë të grupit”, ka thënë Biqkaj për sajtin zyrtar të FFK-së.

Ndeshja me Letoninë është të martën në “Fadil Vokrri”. Më 8 prill është takimi Kosova – Maqedonia e Veriut, ndërsa më 3 qershor përfundon kampanja me ndeshjen Letonia – Kosova. Fituesi i grupit avancon në Ligën B, ndërsa gjasa ka edhe prej vendit të dytë.

Kosova edhe në edicionin e parë ishte në Ligën C. E fitoi grupin ku ishin Bullgaria dhe Maqedonia e Veriut. Në Ligën B luajti në kualifikimet për evropian, por dështoi duke i humbur gjashtë ndeshje dhe duke mos realizuar asnjë gol. Kështu u kthye në Ligën C për edicionin e dytë të Ligës së Kombeve.

“Jemi përgatitur mirë dhe besoj që në këtë grup jemi favoritë. E kam pritur fitoren. Vajzat janë paraqitur mirë. Kemi mundur të shënojmë më shumë gola në pjesën e parë. Por në të dytën e kaluam problemin e efikasitetit dhe kemi mundur të shënonim edhe më shumë. Në pjesën e dytë e kemi parë se mund të fitojmë këtë ndeshje dhe kjo na largoi stresin”, ka thënë kapitenia Erëleta Memeti.

Sipas saj, të gjithë janë meritorë për fitoren bindëse, duke përfshirë shtabin teknik dhe stafin tjetër.

Selektori Sami Sermaxhaj ka thënë se në pjesën e parë ndeshja ishte e fortë.

“Nuk ishte kundërshtar i dobët dhe meritonte respekt prej anës sonë. Taktikisht e kemi lexuar mirë kundërshtarin dhe i jemi kundërvënë në mënyrën më të mirë të mundshme. I kemi lejuar shumë pak raste. Në fazën e sulmit të gjitha shanset që i kemi krijuar kanë rezultuar me sukses. Kemi pasur shanse për të shënuar edhe më shumë gola. Komplimentet shkojnë për disiplinën e vajzave dhe kjo fitore u takon atyre”, ka thënë Sermaxhaj.

Kosova ka vazhduar dominimin e plotë ndaj Maqedonisë së Veriut. Tani i ka shtatë fitore, një barazim e një humbje. Në edicionin e parë futbollistet e Kosovës ndaj Maqedonisë kishin fituar 2:0 në Shkup e 3:1 në Prishtinë. Tani kanë shënuar fitore dy herë më të thellë.