Skuadra e Ferizaj të hënën shënoi fitore të rëndësishme në garën për mbijetesë në Superligën e Kosovës në futboll.
Në nisje të stinorit pranveror mposhti Feronikelin 74 me rezultatin 2:1, në kuadër të xhiros së 19-të. Falë fitores ndaj skuadrës së vendit të fundit dhe humbjeve që Llapi dhe Dukagjini i pësuan në fundjavë, Ferizaj është ngritur në vendin e shtatë.
Dy skuadrat e fundit në tabelë bien direkt nga elita, ndërsa skuadra e vendit të tetë zhvillon ndeshje barazhi për mbetje në elitë.
Ferizaj është në vendin e shtatë me 23 pikë, kurse në vendin e tetë është Dukagjini me 21 pikë. Llapi është i parafundit, përkatësisht i nënti me 18 pikë, derisa Feronikeli 74 në vendin e fundit ka dhjetë pikë.
“Nga fillimi i kampionatit kemi pasur për qëllim stabilizimin në Superligë. Të bëjmë ekip konkurrues për mesin e tabelës. Po punojmë në atë drejtim për t’ia arritur qëllimit dhe të mos kemi telashet e viteve të kaluara, kur Ferizaj një vit ka qenë në Superligë pastaj vitin tjetër ka garuar në Ligën e Parë. Po shkon shumë mirë. Nuk kemi startuar mirë, por në fund të stinorit vjeshtor jemi kapur mirë dhe tash jemi mirë po ashtu. Me fitoren ndaj Feronikelit 74 jemi larguar nga zona e kuqe”, ka thënë trajneri i Ferizajt, Arsim Abazi për KOHËN.
Fitorja ndaj skuadrës nga Drenasi ishte e dyta rresht për Ferizajn. Në ndeshjen e fundit të stinorit vjeshtor, Ferizaj e mposhti Gjilanin.
Në gjashtë ndeshjet e fundit skuadra ferizajase ka vetëm një humbje, nga Dukagjini. Ka edhe tri barazime, kundër Ballkanit dhe Llapit me rezultatin 1:1 dhe 0:0 ndaj Suharekës.
Trajneri Abazi insiston se gara për mbetje në elitë nuk do të jetë e lehtë deri në fund. Por ai ka bindjen se ka skuadër për ta arritur qëllimin.
“Nuk është e lehtë, të gjitha ekipet po luftojmë. Edhe pse Feronikeli 74 është në vendin e fundit, ka treguar ndeshje të mira. Nuk do të jetë lehtë deri në fund. Ka shumë ndeshje. Do të varet edhe nga forma e lojtarëve tanë dhe e kundërshtarëve. Do të mundohemi deri në fund të shmangim ndeshjen e barazhit. Fitorja ndaj Feronikeli 74 ka qenë shumë e rëndësishme duke llogaritur edhe humbjen e Llapit. Tani i largohemi vendit të fundit në 13 pikë dhe vendit të parafundit në 5 pikë. Dukagjinin e kemi prapa dy pikë. Nuk ka përfunduar asgjë por është pozitive pozita në të cilën jemi, për shkak se ndeshjet e ardhshme do t’i presim më të qetë. E kemi nisur me këmbë të mbarë dhe kjo ka rëndësi shumë”, ka theksuar Abazi.
Ferizaj të enjten luan për Kupë të Kosovës. Do të përballet me Rilindjen 1974, skuadër që e eliminoi nga Kupa, kampionin në fuqi, Ballkanin.
“Nuk kemi pasur qëllim Evropën. Do të ishte fat nëse do ta arrinim. Qëllimin e kemi pasur të sigurojmë Superligën pa ndeshje të barazhit. Mund të kemi fat që të arrijmë diçka më shumë nëpërmjet Kupës. Kemi të enjten ndeshjen ndaj Rilindjes 1974”, ka thënë Abazi.
Në fundjavën e ardhshme, Ferizaj luan ndeshje të vështirë kampionale, në udhëtim ndaj Malishevës.