Futboll

Te Dortmundi i besojnë potencialit të Diant Ramajt

Diant Ramaj

Më 27 tetor, Diant Ramaj e zhvilloi ndeshjen e fundit kampionale me Ajaxin. Në ndeshjet tjera në ligë ishte vetëm rezervist te gjiganti holandez i futbollit. Prej atëherë e luajti një ndeshje me të rinjtë e Ajaxit dhe u paraqit në një miqësore.

Por kjo nuk e pengoi gjigantin gjerman të futbollit, Borussia Dortmund, që t’i ofrojë kontratë portierit me rrënjë nga Kosova. Dortmundi të hënën mbrëma njoftoi për transferimin e Ramajt. Ai në edicionin e kaluar i kishte 22 paraqitje për Ajaxin. Në shumicën e ndeshjeve u vlerësua pozitivisht. Por pas një lëndimi e humbi vendin në përbërjen bazë dhe nuk e fitoi më.

Ramaj është ende vetëm 23-vjeçar. Dhe te Dortmundi besojnë se ai mund të përmirësohet ende. Klubi gjerman ka firmosur kontratë të vlefshme deri më 30 qershor të vitit 2029 me portierin.

Ai megjithatë nuk do të bashkohet menjëherë me Dortmundin. Është huazuar menjëherë te Copenhageni në Danimarkë. Copenhageni është prej ekipeve më të mëdha në Danimarkë. Aktualisht është i pari në elitën daneze, ndërsa po zhvillon garë të fortë për titull me Midtjyllandin dhe Randesin.

Ramaj në ekipin danez do të qëndrojë deri në fund të edicionit aktual.

“Dianti është portier i ri gjerman që ka ende shumë potencial për zhvillim. Paraqitja në ndeshje është më e rëndësishmja për të momentalisht. Dhe ai do t’i ketë ato në Copenhagen. I dëshirojmë sukses maksimal në pjesën e dytë të edicionit në Danimarkë dhe në Ligën e Konferencës”, ka thënë drejtori sportiv i Dortmundit, Sebastian Kehl.

Ramaj në verën e vitit 2023 ishte transferuar tek Ajaxi nga Eintracht Frankfurti. Edhe te Frankfurti ishte vetëm rezervist. Me Ajaxin u paraqit në 32 ndeshje gjithsej.

Është zhvilluar te Heidenheimi dhe te disa skuadra të tjera gjermane. Ka luajtur për U18, U19 dhe U20 të Gjermanisë.

Porta është prej pikave të forta të Dortmundit, që ka pasur telashe me rezultate këtë edicion. Zvicerani Gregor Kobel është portieri i parë i skuadrës së verdhë dhe vlerësohet lartë.

Te klubi danez Copenhagen presin shumë nga Ramaj. Ai pritet të jeë portieri i parë i skuadrës.

“Diani vjen me kualitetin që e kemi kërkuar. Është portier cilësorë, me reagim të shpejtë dhe luan mirë me këmbë. Kemi qenë të fokusuar që të sigurojmë portierin e parë. Tani kemi një portier të fortë që mund të jetë vendimtar për të fituar titullin e kampionit të Danimarkës”, ka thënë drejtori sportiv i Copenhagenit, Sune Smit-Nielsen.

Ai ka treguar se është dashur të jenë shumë të durueshëm që lëvizja të realizohet.

Ramaj të mërkurën fillon punën me skuadrën daneze. Është i gëzuar për lëvizjen, ndërsa ka thënë se ka përcjellë skuadrën daneze në vitet e fundit.

“E di se çfarë klubi i madh është. Do të jetë gjë e madhe të luaj në ‘Parken’, për të cilin kam dëgjuar shumë. Tifozët mund të presin shumë nga unë. Kam shikuar për një klub ndërkombëtar ku mund të jem portier i parë. Me kualitetet që kam, besoj se do të luaj vazhdimisht. Kështu që ky opsion ishte i përkryer për mua. Duhet ta fitojmë kampionatin e Danimarkës këtë edicion dhe unë duhet të premtoj  që do të bëj më të mirën që kjo të ndodhë”, ka thënë Ramaj.

Edhe trajneri Jacob  Neestrup është i lumtur për angazhimin e Ramajt.

“Dianti është portier i talentuar që tashmë ka përvojë të madhe dhe di si të luajë nën presion. Ka karakter të fortë dhe personalitet që përshtatet me skuadrën tonë”, ka thënë Neestrup.

Për lëvizjen e Ramajt kanë folur edhe tek Ajaxi. Drejtori sportiv Alex Kroes ka thënë se dëshira e portierit ishte të largohej. Ai ka thënë se Ramaj kishte vazhdimisht qasje profesionale.

“Në një pikë edicionin e kaluar, Dianti ishte portieri numër një. Por e gjeti veten në stol këtë edicion. Përkundër dëshpërimit, ai ka vazhduar të punojë fort dhe qasjen e kishte shumë profesionale. Qartë se ai shprehu dëshirën të largohet. Ne vendosëm të bashkëpunojmë për këtë kërkesë dhe i dëshirojmë çdo të mirë në kapitullin e ri në karrierë”, ka thënë Kroes.

Ramaj vazhdimisht është vlerësuar me potencial të madh. Transferimi te Dortmundi, njëri prej klubeve më të mëdha në Gjermani dhe finalisti i fundit i Championsit, dëshmon këtë. Tani kosovarit i mbetet që të shfaqë në nivelin elitar evropian potencialin që e ka.