Liverpooli dhe Newcastle përballen në finale të Kupës së Ligës në Angli. Në këtë garë, të njohur edhe si EFL Cup, paraqiten skuadrat e katër kategorive të para të futbollit anglez, 92 gjithsej.
Finalja zhvillohet të dielën nga ora 17:30 në “Wembley”.
Liverpooli është lider në Premier League dhe mund të llogaritet favorit. Por në mesjavë skuadra e Arne Slot u eliminua në Champions dhe rrjedhimisht nuk është në momentin më të mirë.
Në gjysmëfinale të Kupës së Ligës, Liverpooli e eliminoi Tottenhamin. Ndërkohë Newcastle Unitedi e eliminoi Arsenalin.
Newcastle është në vendin e gjashtë në Premier League me 47 pikë. Liverpooli udhëheq me 70 pikë, por ka një ndeshje më shumë të zhvilluar.
Ndonëse zhvillohet finalja e kupës së ligës, gara në Premier League vazhdon. Në program janë ndeshjet e xhiros së 29-të. Ndeshjen e kësaj xhiroje, Liverpooli e ka luajtur më herët, ndërsa ka barazuar 2:2 me Aston Villan.
Arsenal – Chelsea është kryendeshja e kësaj xhiroje. Zhvillohet të dielën nga ora 14:30.
Arsenali është i dyti me 55 pikë, ndërsa Chelsea mban vendin e katërt me 49 pikë. Derisa Arsenali është stabil në vendin e dytë, Chelseat i duhet ta mbajë vendin e katërt për të vazhduar në Champions. E kërcënojnë Manchester City e Newcastle, që i kanë nga 47 pikë, por edhe Brightoni me 46. Nottingami është i treti me 51 pikë.