Drejtori i përfaqësueseve të Zvicrës, Pierluigi Tami ka thurë lavde për sulmuesin e Baselit, Xherdan Shaqiri. Ai ka vlerësuar kontributin e tij te Zvicra. Ka thënë se Shaqiri nuk ishte në nivelin më të mirë në përgatitjet për Evropianin “Gjermania 2024”.
“Në Kampionatin Evropian, kur Xherdani u paraqit, e pamë se sa i rëndësishëm ishte. Ai e pranoi vendimin e Muratti dhe ishte një model për të gjithë të tjerët. Ai nuk mund të ishte i kënaqur me situatën e tij në stol dhe ishte gjithmonë gati kur Murati i besonte. Gjithmonë në fushë jepte përgjigje të fortë. Dhe, këto përgjigje pozitive ishin të mundshme sepse sjellja e tij ishte shumë e mirë”, ka thënë Tami për “bluwin.ch”.
Ai është i lumtur për kthimin e Shaqirit te Baseli. “Jam i lumtur për të që është kthyer në Zvicër dhe do të jetë avantazh për lojtarët e rinj në Basel. Paraqitja e mirë vjen edhe kur je pozitiv në stërvitje, kur investon gjithçka në stërvitje. Dhe nga ajo që kam parë, ai tashmë është përmirësuar, përfshirë edhe nivelin fizik të tij”, ka theksuar Tami.
Shaqiri kishte karrierë impresive me përfaqësuesen, ndërsa është i vetmi lojtar që ka shënuar gola në gjashtë ngjarjet e fundit të mëdha, tre botërorë e tre evropianë. Për Zvicrën i ka luajtur plot 125 ndeshje dhe i ka realizuar 32 gola, secili më i mirë se tjetri.
Ai po kalon formë të mirë me Baselin këtë edicion. 33-vjeçari me fanellën e Baselit ka shënuar dy gola dhe ka kontribuar me shtatë asistime në dhjetë ndeshje në Superligë, ndërsa ka edhe një gol për Kupë të Zvicrës.