Përzgjedhësi i Kosovës në futboll, Franco Foda, ishte i qartë në përgjigjet që dha të mërkurën në konferencën për medie. Porosia e tij për lojtarët ishte: angazhim nga minuta e parë në ndeshjen e parë të plejofit për Ligën B të Ligës Kombeve kundër Islandës.
Ndeshja Kosovë – Islandë luhet të enjten nga ora 20:45 në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë. Ndeshja kthyese luhet të dielën në Murcia të Spanjës.
Foda tha se synimi i Kosovës është triumfi në dy ndeshjet kundër Islandës dhe kalimi në Ligën B të Ligës së Kombeve për edicionin e ardhshëm.
“Ne i kemi dy ndeshje për t’i fituar dhe që të dyja janë të rëndësishme për të vendosur se a do të vazhdojmë në Ligën B. Ne e dimë se Islanda ka ekip të mirë. Në ndeshjet e kaluara kemi treguar lojëra dhe kualitete të mira, mentalitet të fortë. Duhet të tregojmë në fushë që kemi edhe shpirt luftarak. Qëllimi jonë është që t’i fitojmë të gjitha ndeshjet. Tani e kemi një mundësi të mirë që të ngrihemi në Ligën B. Do të bëjmë gjithçka që të na mundësohet dhe që t’i fitojmë këto ndeshje. Sigurisht që është shumë e rëndësishme për Kosovën që të jetë një nivel më lartë”, ka thënë Foda.
Trajneri gjerman ka vlerësuar Islandën. Por ka shtuar se Kosova ka planet e saj.
“Siç dihet, Islanda ka një ekip shumë të mirë, luan mirë taktikisht. Por ne duhet që të luajmë ndaj Islandës të përqendruar që nga momenti i parë i prekjes së topit. Ne e dimë që Islanda ka lojtarë të mirë që janë te Lille, Real Sociedadi, Fiorentina. Por e rëndësishme do të jetë që parimet tona t’i zbatojmë në fushë dhe që nga minuta e parë të bëjmë presion. Duhet të jemi të zgjuar në çdo moment”, ka theksuar Foda.
Foda ka thënë se atmosfera në ekip është e mirë, ndërsa pret t’i ketë në dispozicion të enjten edhe kapitenin Amir Rrahmani dhe mesfushorin Valon Berisha.
Ai ka theksuar se Kosova është rritur në vitet e fundit. Sipas teknikut gjerman, Kosova ka treguar nivel të lartë të lojës edhe ndaj përfaqësueseve të forta evropiane.
“Në ndeshjet e kaluara kemi treguar që jemi zhvilluar, skuadra tani është më e avancuar. Ne këtë e kemi treguar edhe në ndeshjen në udhëtim te Rumania. Kemi treguar në ato ndeshje që mund të bëjmë presion, të jemi dominues dhe në të gjitha fazat kemi treguar paraqitje të mirë. Ato kualitete tani duhet t’i përsërisim. Në ndeshje duhet të jemi të koncentruar nga minuta e parë, të luajmë me intensitet kundër Islandës, që luan lojë shumë të fortë”, thotë Foda, i cili ka vlerësuar potencialin që kanë treguar gjatë grumbullimit lojtarët e rinj Lirjon Abdullahu, Dion Gallapeni dhe Vesel Demaku.
Kosova ndaj Islandës ka luajtur dy herë. “Dardanët” i kanë humbur të dyja ndeshjet në kualifikimet për Kupën e Botës “Rusia 2018”. Humbën në Reykjavik 2:0, ndërsa pësuan disfatë edhe në Shkodër me rezultat 2:1.
Prej lojtarëve aktualë të Kosovës që kishin luajtur në vitin 2017 ndaj Islandës ishte Milot Rashica.
Rashica beson në forcën e Kosovës.
“E dimë kualitetin e Islandës, sidomos në fazën ofensive islandezët janë shumë të fortë dhe luajnë bashkë si ekip. Por, normalisht, ne duhet të fokusohemi më shumë te kualiteti ynë dhe te loja jonë, e sidomos në ndeshjet e fundit që gjithë djemtë kanë zhvilluar ndeshje të mira. Besoj që kemi shumë gjëra pozitive për të marrë nga ato ndeshje dhe ta nisim sa më mirë”, ka thënë Rashica.
Ai ka thënë se atmosfera është e mirë, ndërsa synimi është veç fitorja ndaj Islandës.
“Gjendja është shumë e mirë, edhe pse kësaj radhe ishte koha e shkurtër, kishim 2-3 ditë stërvitje. Të gjithë kanë ardhur në formën më të mirë të mundshme. Normalisht është ndeshja e parë në shtëpi dhe do të mundohemi ta shfrytëzojmë në maksimum përparësinë e ndeshjes që e kemi këtu, së bashku me gjithë tifozët dhe shpresojmë në rezultat sa më pozitiv në ndeshjen e parë”.
Por Rashica thotë se ëndrra më e madhe e lojtarëve të Kosovës është kualifikimi në Botëror apo Evropian.
“Kualifikimi është ëndrra e secilit prej nesh dhe shpresojmë ta arrijmë sa më shpejt. Çdo ndeshje me Kombëtaren, pa marrë parasysh a është kualifikuese, apo miqësore, shërben për të mirën tonë dhe për ta parë se ku jemi si ekip dhe individualisht. Por, normalisht edhe këto e kanë rëndësinë e vet, duhet të fitojmë dhe të kalojmë tutje. Pastaj do të kemi kohë për t’u përgatitur për kualifikime të tjera”, ka thënë Rashica.
Kosova ishte e dyta në grup në Ligën C dhe kërkon avancimin në B. Islanda ishte e treta në grup në Ligën B dhe synon mbetjen në këtë nivel, që është i dyti i Ligës së Kombeve.