Futboll

Synimi i Ajetit me Shqipërinë – fitore ndaj Serbisë në Tiranë

Ajeti

Në ndeshjen Serbi - Shqipëri në Beograd, më 14 tetor 2014, Arlind Ajeti mungoi. Ndeshjen kthyese, Shqipëri – Serbi, në Elbasan, më 8 tetor 2015, e përcolli nga banka e rezervistëve.  Tani Ajeti mund të paraqitet nga minuta e parë ndaj Serbisë, më 7 qershor në Tiranë.

Mbrojtësi i qendrës është vlerësuar për paraqitjet stabile me fanellën kuqezi. Nëse gjërat shkojnë në rrugën e duhur, Ajeti mund të paraqitet përkrah kapitenit Berat Gjimshiti në qendër të mbrojtjes së Shqipërisë në ndeshjen kundër Serbisë, ndonëse konkurrenca është e madhe. 

Ndeshja Shqipëri – Serbi luhet në “Arenën Kombëtare”, në Tiranë. 

Mund të jetë ndeshja më e rëndësishme e ciklit kualifikues për Kupën e Botës 2026. Serbia ndoshta do të jetë rivalja direkte për vendin e dytë në grup.

“Besoj që edhe neve si lojtarë na ka dhënë një motiv dhe shpresoj që kjo fitore të na ndihmojë për ndeshjet e tjera. Kam besim shumë në cilësinë e ekipit që kemi, trajnerit dhe stafit të tij që do të punojnë për të përgatitur në mënyrën më të mirë çdo ndeshje. Besoj që mund të dalim fitues ndaj çdo kundërshtari. Gjithmonë luajmë për të fituar, në çdo ndeshje. Motivi është i madh gjithmonë me kombëtaren, pavarësisht kundërshtarit”, ka thënë Ajeti të mërkurën për KOHËN.

Ndeshja në Beograd, më 14 tetor 2014, ishte ndërprerë pasi huliganët dhe lojtarët serbë sulmuan lojtarët e Shqipërisë. Ajo ndeshje në fund ishte regjistruar me rezultatin 3:0 në të mirë të Shqipërisë.

Më 8 tetor 2015 në Elbasan, Serbia fitoi 2:0, nën masa të rrepta sigurie. Por gjithçka shkoi mirë dhe gjasat janë që e njëjta të ndodhë në qershor. Testi i madh mund të vijë në ndeshjen kthyese.

Ndeshja Serbi – Shqipëri është më 11 tetor.

Mbrojtësi 31-vjeçar me fanellën e Shqipërisë ka shënuar një gol në 32 ndeshje. Ajeti të hënën kompletoi 90-minutëshin e tetë nga 11 ndeshjet e fundit të Shqipërisë. Mungoi ndaj Ukrainës dhe Gjeorgjisë, ndërsa ishte në bankën e rezervistëve kundër Çekisë në Ligën e Kombeve. 

Ai vlerëson fitoren ndaj Andorrës. Kuqezinjtë fituan 3:0 në Tiranë.

“Ka qenë shumë e rëndësishme kjo fitore. Ndoshta shumë edhe kanë pritur që do të fitojmë ndaj Andorrës. Lojë të lehtë nuk ka më në futboll. Fitorja gjithmonë të jep motiv, të rrit vetëbesimin, si dhe të jep një energji shtesë për të ardhmen”, është shprehur Ajeti.

Ajeti me Shqipërinë është paraqitur në Evropianin e vitit 2016 dhe 2024. Ishte prej pak lojtarëve që dy herë ishte pjesë e Shqipërisë në Evropian. Tani synon paraqitjen me Shqipërinë në Botëror.

“Jam krenar dhe i lumtur që kam pasur mundësi të paraqitem me kombëtaren në dy Evropianët. Nëse do të luaj edhe në Botëror do të isha i përmbushur si lojtar. Kam shumë besim që mund të kualifikohemi në Botëror”.

Anglia është e para në grupin kualifikues për Botëror me gjashtë pikë, ndërsa nga tri pikë i kanë Shqipëria dhe Letonia. Serbia dhe Andorra janë pa pikë. Serbia nuk ka luajtur asnjë ndeshje kualifikuese. Të parën do ta ketë ndaj Shqipërisë.