Futboll

Sylvinho: Liga e Kombeve, mundësi për t’u përmirësuar

Sylvinho

Përzgjedhësi i Shqipërisë në futboll, Sylvinho, e ka cilësuar garë të rëndësishme Ligën e Kombeve. Ai ka thënë se ndeshjet në edicionin e ri të Ligës së Kombeve do t’i shërbejnë Kombëtares për t’u përmirësuar para ndeshjeve kualifikuese të Kupës së Botës të vitit 2026. 

Sylvinho të hënën në konferencën e parë për media para dy ndeshjeve të Ligës së Kombeve ka vlerësuar formën e lojtarëve kuqezi. Ai u ka bërë thirrje lojtarëve të japin gjithçka në fushë.
Shqipëria të shtunën luan ndaj Ukrainës në Pragë, kurse tri ditë më pas në Tiranë e pret Gjeorgjinë. Të dyja ndeshjet i takojnë Grupit 1 të Ligës B të Ligës së Kombeve. Në grup është edhe Çekia.

“Liga e Kombeve është një garë e rëndësishme. Mund të na japë edhe një dorë për të ardhmen, për Kupën e Botës. Ukraina, Gjeorgjia dhe Çekia kanë skuadra të forta, kanë lojtarë të fortë. Do të jenë ndeshje të vështira dhe të luftuara në fushë. Jemi një Kombëtare në rritje. Nuk kemi kohë për të bërë eksperimente, nuk më pëlqen kjo fjalë”, ka thënë Sylvinho.

Ai ka thënë se ndeshjet në Ligën e Kombeve janë mundësi e mirë edhe për lojtarët që janë ftuar për herë të parë te Shqipëria. 

Agim Zeka dhe Sebastjan Spahiu janë emrat e rinj në Kombëtaren e Shqipërisë.

“Duhet të përmirësohemi si Kombëtare. Shkojmë në fushë për të prezantuar njerëzit dhe për të përfaqësuar një komb, të luajmë me shpirt dhe zemër. Një lojtar apo stafi që nuk mendon kështu qëndron jashtë. A do të thotë kjo që ne do t’i fitojmë të gjitha ndeshjet? Nuk e di. Por ne duhet të hyjmë në fushë për të luftuar, për t’i dhënë të gjitha aty”, ka theksuar tekniku brazilian.

Ai ka insistuar se Shqipëria duhet të përmirësohet në çdo aspekt. 

“Pas Evropianit kemi më shumë eksperiencë. Lojtarët japin shumë, por ne duhet të rritemi sepse kemi shumë të rinj, me shumë dëshirë për t’u rritur e për të bërë më mirë. Por duhet të vazhdojmë të punojmë, duhet të përmirësojmë skuadrën për të bërë diçka të bukur, të përfaqësojmë njerëzit në fushë me zemër e shpirt skuadre. Kjo është ajo që duam të arrijmë në vitin e ardhshëm”, është shprehur Sylvinho.

Ai pret fitore ndaj Ukrainës dhe Gjeorgjisë.

“Kam parë çdo gjë mbi Ukrainën dhe Gjeorgjinë, kundërshtarët e ardhshëm. Janë të fortë. Nëse janë më të fortë se Spanja, Italia apo Kroacia, se them dot, janë të ndryshme. Por kemi një grup të vështirë. Si trajner u jap të njëjtin mesazh lojtarëve: duhet të provojmë të fitojmë një ndeshje të rëndësishme dhe të shkojmë në fushë të fortë. Për ne është e njëjta gjë. Unë provoj t’i bind lojtarët pasi ata e dinë. Kur hyn në fushë është e vështirë, 11 kundër 11. Ju garantoj që dy ndeshjet e ardhshme janë të vështira, por të bukura, sepse lojtarët e dinë që duhet të dalin në fushë për të bërë më të mirën. Nuk duhet të shohim anën tjetër, ekipet kundërshtare janë të forta, por ky është shpirti që duam në ekipin tonë. Nuk ka rëndësi nëse janë miqësore, duhet të futemi në fushë të fortë”, ka thënë Sylvinho.

Sylvinho ka arsyetuar edhe lënien e portierit Etrit Berisha jashtë listës së lojtarëve të ftuar për ndeshjet e këtij muaji. Ka thënë se Berisha mbeti jashtë pasi nuk ka skuadër dhe ka humbur ritmin e stërvitjeve.

Nën drejtimin e Sylvinhos, Shqipëria siguroi për herë të dytë paraqitjen në Evropian. Në Gjermania 2024, Shqipëria pati dy humbje e një barazim. Në Evropian, Sylvinho e la jashtë listës sulmuesin Myrto Uzuni. Ai dha arsyet e tij pse nuk e përfshiu Uzunin në ekipin që u paraqit në Evropian. Ka theksuar se Uzunin e sheh si qendërsulmues e jo sulmues krahu. 

Uzuni do të jetë pjesë e grumbullimit për ndeshjet e këtij muaji. Ai e zëvendëson sulmuesin e lënduar, Armando Broja.