Futboll

Superliga vazhdon me ndeshje vendimtare

Superliga

Prishtina ka ekip për t’i marrë pikë Ballkanit e Malisheva për t’i prishur punë skuadrës së Dritës.

Dy prej trajnerëve të njohur të futbollit kosovar, Gani Sejdiu e Bekim Shotani, i vlerësojnë shumë të rëndësishme dy ndeshjet e xhiros së 27-të të Superligës së Kosovës në futboll, që zhvillohen të shtunën. Sejdiu e Shotani pajtohen që rezultatet janë vështirë të parashikueshme për ndeshjet Prishtina – Ballkani e Malisheva – Drita.

Fituesja në fuqi e Kupës së Kosovës, Prishtina, e pret në Lipjan kampionin, Ballkanin. Dritën e Gjilanit e pret udhëtim i vështirë në Malishevë.

Gara në Superligë vazhdon pas dy javësh. Fundjavën e kaluar nuk kishte ndeshje për shkak të aktiviteteve të ekipeve përfaqësuese.

Dhe Superliga vazhdon me ndeshje të “zjarrta”.

Të dielën janë tri ndeshjet e tjera të xhiros së 27-të: Llapi – Liria, Feronikeli 74 – Fushë Kosova, Gjilani – Dukagjini.

Ballkani është lider me 52 pikë. Llapi është në vendin e dytë me një pikë më pak, kurse Drita zë vendin e tretë me 50 pikë. Malisheva është e katërta me 47 pikë.

Larg garës për titull ka mbetur Prishtina. Renditet e pesta me 38 pikë, por Gani Sejdiu insiston se Prishtina mund t’i marrë pikë Ballkanit.

“Kjo është e mira e kampionatit në këtë finish. Realisht dështimet e Ballkanit kanë bërë të ketë mundësi të ndryshimit të pozitave. Është situatë interesante dhe mund të ndërrohet lideri nga java në javë. Prishtina ka kapacitet dhe mundësi për ta ndalur Ballkanin. Malisheva nuk besoj se ka gjasa për titull, por gjasat i ka të mira ta sigurojë Evropën nga vendi i dytë apo i tretë. Është xhiro që mund të ndryshojë liderin”, ka thënë Sejdiu për KOHËN, të mërkurën.

Ballkani, Llapi, Drita dhe Malisheva janë katër skuadrat që kanë shënuar nga 15 fitore këtë edicion. Pra dallimin e bëjnë barazimet. Ballkani i ka shtatë barazime, Llapi gjashtë, Drita pesë e Malisheva vetëm dy.

Trajneri mitrovicas, Sejdiu, vlerëson se Ballkani do të futej në presion nëse humb pozitën e parë.

“Nëse Ballkani humb vendin e parë do të hyjë në fazën problematike. Kur humb  vendin e parë, presioni është më i theksuar, ndërsa ekipet që janë më poshtë nuk kanë presion. Ballkanin, Llapin dhe Dritën i shoh deri në fund në garë për titull”, ka theksuar Sejdiu.

Ngjashëm situatën e sheh edhe trajneri Bekim Shotani.

“Llapi është në formë të mirë dhe me aq sa kam parë ka orar që e favorizon për ta marrë pozitën e liderit. Te Llapi lojtarët e kanë kuptuar se objektivi kryesor është titulli. Janë të motivuar pasi nuk e kanë fituar asnjëherë. Edhe Malisheva ka treguar paraqitje të mira. Malisheva do ta befasojë Dritën dhe do t’i afrohet objektivit – Evropës. Ndeshje interesante është edhe ajo mes Prishtinës e Ballkanit”, ka thënë Shotani.

Sipas tij, Llapi duhet t’i shfrytëzojë gabimet potenciale të ekipeve kundërshtare në garën për titull.

Te Llapi thonë se janë fokusuar vetëm në rezultatet e tyre.

Drejtori sportiv Mentor Zhdrella thotë se janë brenda objektivit.

“Jemi brenda objektivit. Do ta japim maksimumin ndeshje pas ndeshjeje, pse jo në fund ta fitojmë titullin e kampionit. Nuk i shohim ndeshjet e kundërshtarëve. Do të merremi vetëm me rezultatet tona. Ekipi i Llapit është shumë i mirë, atmosfera e mirë, ndërsa po bëhet një punë e mirë e trajnerit me lojtarët”, ka thënë Zhdrella.

Kampion në fuqi është Ballkani.