Futboll

Sulmuesi i Kosovës synon shkëlqimin në Beograd

Eliot Bujupi

Eliot Bujupi ka disa forma të festës gjatë shënimit të golave.

Bujupi është lojtar që kujdeset për ta ndihmuar ekipin e tij dhe për këtë arsye ka pasion të madh kur feston golat. Qartë që nuk do ta ndryshojë mënyrën e festës nëse më 27 nëntor shënon një, dy apo më shumë gola. E rëndësishme për sulmuesin e Kosovës është ta ndihmojë me gola Stuttgartin U19 që ta fitojë ndeshjen e radhës në “UEFA Youth League”. Suttgarti U19 më 27 nëntor luan kundër Cërvena Zvezdës në Beograd të Serbisë. 

“Unë jam në formë të mirë dhe pa dyshim që synimi im është të përpiqem të shënoj në çdo ndeshje, kështu që është pa dyshim e mundur ta bëjmë këtë në Beograd. Duhet të ecim përpara si skuadër dhe ta luajmë lojën tonë, sepse kundërshtari definitivisht nuk do ta bëjë të lehtë për ne. Por nëse e bëjmë këtë, jam i sigurt se do të fitojmë. Personalisht, unë gjithmonë përqendrohem në lojën time fillimisht dhe më pas golat vijnë automatikisht”, ka thënë Bujupi të enjten për KOHËN.

Sulmuesi 18-vjeçar i Kosovës ka shënuar 13 gola nga 15 ndeshje në të gjitha garat e edicionit aktual. Së fundi shënoi dy gola të mërkurën ndaj skuadrës italiane, Atalanta U19. 

Bujupi shënoi dy gola në fitoren 4:1 të Stuttgartit U19, në kuadër të xhiros së katërt të “UEFA Youth League”.

Të parin e shënoi në minutën e 21-të, kurse të dytin në minutën e 74-t. 

Ai është i lumtur për golat ndaj Atalantas.

“Jam shumë i lumtur që i kam shënuar dy golat. Ishte një lojë shumë e rëndësishme për të siguruar shanset për ndeshjet e radhës dhe për të përparuar. Fakti që arrita të ndihmoja me dy golat, pa dyshim që më bën më të lumtur”, është shprehur Bujupi.

Bujupi ka shënuar tre gola nga katër ndeshje në Ligën e UEFA-s për të rinj. Me nëntë gola nga dhjetë ndeshje në ligën U19 të Gjermanisë, është golashënuesi më i mirë i ekipit U19 të Stuttgartit. Një gol ka shënuar edhe për Kupë të Gjermanisë. Në total ka 13 gola nga 15 ndeshje në edicionin aktual.

Bujupi me ekipin e Stuttgartit ka kontratë deri në qershor të vitit të ardhshëm. Ai pret ta fitojë rastin të paraqitet edhe për ekipin e parë të Stuttgartit.

“Mendoj se nëse vazhdoj kështu me gola dhe asistime, gjë që ka qenë shumë e mirë deri më tani, gjasat për të përfunduar duke luajtur për A do të rriten pa dyshim. Por plani është që në dimër të rritemi për herë të parë për ekipin e dytë dhe të paraqitem  atje. Dhe nëse vjen rasti me ekipin e parë, do të jem gati”, ka theksuar Bujupi.

Bujupi ka debutuar me ekipin A të Kosovës në fitoren 4:0 ndaj Qipros më 9 shtator. Bujupi vlerësohet e ardhmja e “Dardanëve”. U grumbullua edhe muajin e kaluar, por nuk u paraqit kundër Lituanisë dhe Qipros. Pas paraqitjeve të mira me fanellën e ekipit gjerman, Bujupi pritet të ftohet edhe për dy ndeshjet e fundit të edicionit të katërt të Ligës së Kombeve. Kosova më 15 nëntor luan ndaj Rumanisë në Bukuresht, kurse e pret Lituaninë më 18 nëntor në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë. Bujupi thotë se është gati ta japë më të mirën e tij edhe për Kosovën. 

“Nëse ka mundësi të eci para, patjetër që do të jem gati”, ka thënë Bujupi.

Pjesë e Stuttgartit U19 është edhe futbollisti tjetër i Kosovës, Deli Hajdini. Hajdini është ftuar të luajë për Kosovën U19.