Futboll

Sulmet terroriste, dhuna dhe sulmet kibernetike, rreziqet më të mëdha gjatë Evropianit

Euro 2024

Kampionati Evropian i futbollit do të zhvillohet në Gjermani nga data 14 qershor deri më 14 korrik. Situata e sigurisë është përkeqësuar ndjeshëm që nga Botërori i fundit i organizuar në Gjermani në vitin 2006. Policia federale dhe e shtetit, Zyra Federale e Policisë Kriminale, si dhe Zyra për Kushtetutën dhe Mbrojtjen Civile janë alarmuar.

“Policia federale po përgatitet për operacionin më të madh që nga themelimi i njësisë në vitin 1951”, citohet “Die Welt” në shkrimin e gazetës zvicerane “20min.ch”.

Sipas ministres së Brendshme, Nancy Faeser, autoritetet gjermane po përgatiten kundër “të gjitha rreziqeve të mundshme”. Tri rreziqet janë: sulmet terroriste, dhuna e tifozëve dhe lufta kibernetike.

“Kërcënimi terrorist është ngritur në Evropë për një kohë të gjatë dhe sulmi në Moskë e ka përkeqësuar situatën edhe më shumë. Shteti Islamik ka marrë tashmë përgjegjësinë për 50 sulme në mbarë botën këtë vit”, shkruan gazeta zvicerane. “UEFA supozon se 2.7 milionë vizitorë do t’i përcjellin në stadium ndeshjet, plus 12 milionë që i shikojnë ndeshjet nga vende të ndryshme në Gjermani. Vetëm nga Anglia pritet të udhëtojnë drejt Gjermanisë 800 mijë tifozë. Në shumë hapësira nuk do të lejohet lëvizja e veturave dhe tifozët do të udhëtojnë më këmbë ose me transport publik, gjë që rrit rrezikun e përplasjes së grupeve të mëdha me njëri-tjetrin”.

Po ashtu gazeta zvicerane ka shkruar se priten edhe dezinformime dhe sulme kibernetike.

“Qeveria ruse në veçanti po ndjek qëllimin e dezinformatave dhe propagandës për të ndikuar në opinionin publik në Gjermani, për të ndarë shoqërinë dhe për të dobësuar Gjermaninë”, tha një zëdhënës i Ministrisë Federale të Brendshme të Gjermanisë.

Vetëm Policia Federale do të ketë 22 mijë policë në detyrë çdo ditë. Për të pasur në dispozicion personel të mjaftueshëm emergjence, nuk do të ketë pushime gjatë zhvillimit të Evropianit. Ka edhe shërbime emergjente nga policia e shtetit të shtatë shteteve federale ku ndodhen dhjetë stadiumet në të cilat luhen ndeshjet.

Në fazën e grupeve autoritetet presin që të këtë një potencial veçanërisht të lartë për konflikt në katër ndeshje.

Ndeshjet që vlerësohen me rrezikshmëri të lartë janë ajo në mes të Serbisë dhe Anglisë, që do të luhet më 16 qershor në Gelsenkirchen, pastaj Gjermania ndaj Hungarisë më 19 qershor në Stuttgart, Danimarkë – Angli më 20 qershor, ndeshje e cila do të luhet në Frankfurt dhe Skoci – Hungari, e cila zhvillohet më 23 qershor në Stuttgart.

Për të parandaluar hyrjen e “kriminelëve” të mundshëm të dhunshëm në vend, do të vendosen kontrolle në të gjithë kufijtë gjermanë.

“Këto do të përdoren për të ‘arrestuar huliganë të futbollit ose kërcënime nga jashtë’”, tha  ministri i Brendshëm i Bavarisë, Joachim Herrmann.

Forcat e sigurisë po punojnë për të përmirësuar efikasitetin. Ata duhet të jenë në gjendje të zbulojnë dhe përgjojnë dronët e telekomanduar.

Nga vendet që marrin pjesë në Kampionatin Evropian do të dërgohen për patrullë nga 350 oficerë policie.

“Pavarësisht të gjitha masave paraprake, nuk mund të ketë 100 për qind siguri”, thotë ministri i Brendshëm i NRW-së, Herbert Reul.

Situata e sigurisë është rënduar nga tensionet rreth konfliktit në Lindjen e Mesme. Sipas “Welt”, megjithatë, qarqet e sigurisë thonë se aktualisht nuk dihet për ndonjë rrezik apo sulm të planifikuar konkretisht.