Futboll

Suhareka shënon fitoren e parë në Superligë

Suhareka

Suhareka e ka shënuar fitoren e parë në Superligën e Kosovës pasi të shtunën në stadiumin e qytetit në Suharekë, e mposhti Dukagjinin. 

Suhareka e fitoi 3:1 ndeshjen me shumë raste shënimi, por edhe me gola të anuluar. 

Jakup Berishës së Suharekës dhe Hekuran Berishës së Dukagjinit në pjesën e parë iu anuluan golat. Por që të dy shënuan në pjesën e dytë.  

Fillimisht, pesë minuta pas pushimit, për vendësit shënoi Mevlan Zeka. Zeka shënoi nga afërsia. 

Vetëm tre minuta zgjati festa e suharekasve, pasi Berisha realizoi për Dukagjinin për 1:1. 

Afro 20 minuta para fundit, Berisha i Suharekës e kaloi në epërsi skuadrën e tij prej një goli. 

Suhareka u mbajt deri në fund, ndërsa e shënoi edhe një tjetër gol nga penalltia. 

Kapiteni Zeka ishte i saktë nga 11-metërshi për rezultatin përfundimtar.

Dukagjini i drejtuar nga trajneri Ismet Munishi, e pësoi disfatën e dytë rresht. Trajneri Munishi nuk ishte pranë lojtarëve, pas kartonit të kuq të marrë në ndeshjen hapëse të edicionit të ri të Superligës. 

Dukagjini në ndeshjen e parë u mposht në udhëtim nga kampioni në fuqi, Ballkani, derisa Suhareka barazoi pa gola me Prishtinën në udhëtim. 

Në xhiron e tretë, Suhareka luan në udhëtim te Drita, derisa Dukagjini e pret në Klinë skuadrën e Gjilanit.


Suhareka në epërsi sërish

Jakup Berisha e ka kaluar sërish në epërsi skuadrën e Suharekës. 

Berisha shënoi ndaj Dukagjinit për 2:1, në minutën e 69-të.


Dukagjini barazon rezultatin

Skuadra e Dukagjinit e ka barazuar rezultatin në 1:1 në ndeshjen ndaj Suharekës. 

Sulmuesi Hekuran Berisha realizoi në minutën e 58-të. Rezultati aktual është 1:1 ndërmjet Suharekës dhe Dukagjinit.


Suhareka në epërsi

Skuadra e Suharekës ka kaluar në epërsi prej 1:0 ndaj Dukagjinit në kuadër të xhiros së dytë të Superligës së Kosovës në futboll. Mevlan Zeka ishte shënuesi i golit në minutën e 50-të.


Mbyllet pjesa e parë e ndeshjes Suhareka – Dukagjini

Pjesa e parë e ndeshjes Suhareka – Dukagjini që po zhvillohet në stadiumin e qytetit në Suharekë, është mbyllur pa gola. 

Ndeshja i takon xhiros së dytë të elitës së futbollit kosovar. 

Të dyja skuadrave në pjesën e parë iu anulua nga një gol, ai i Jakup Berishës së Suharekës dhe Hekuran Berishës së Dukagjinit.