Futboll

Struga, kampione e Maqedonisë së Veriut

KF Struga

Skuadra e Strugës ka fituar derbin e Maqedonisë së Veriut në futboll e bashkë me të edhe titullin e kampionit. Të dielën në ndeshjen më të rëndësishme të kampionatit, Struga mposhti në Tetovë skuadrën e Shkëndijës me rezultatin 2:0.

Për ta mbrojtur titullin e kampionit, Strugës i duhej fitorja ndaj Shkëndijës dhe atë e arriti. Struga siguroi titullin e dytë rresht një xhiro para fundit.

Golin e parë për Strugën e shënoi ish-sulmuesi i Shkëndijës, Besart Ibrahimi në minutën e 43-të. Me të filluar pjesa e dytë, saktësisht në minutën e 48-të, golin e dytë e shënoi Marjan Radeski.

Struga është forcuar në vendin e parë me 64 pikë, ndërsa në vendin e dytë është Shkëndija me 61 pikë. Shkupi është i treti me 59 pikë. Pra kishte garë shqiptare për titull. 

Shkupi të dielën në shtëpi luajti pa gola ndaj Brera Strumicës. Pa gola luajtën edhe Gostivari e Rabotniçki dhe Tikveshi me Voska Sport. Gostivari dhe Voska Sport janë skuadra tjera shqiptare.