Trajneri i Rilindjes 1974, Faruk Statovci, e ka vlerësuar të madhe fitoren ndaj kampionit të Kosovës në futboll, Ballkanit për Kupë të Kosovës.
Fituesi i Kupës për edicionin e kaluar, Ballkani është shokuar të mërkurën, pasi u eliminua në raundin e dytë të Kupës nga skuadra e Ligës së Parë, Rilindja 1974. Skuadra pejane kaloi në një të tetën e finales pas ekzekutimit të penalltive me rezultatin 10:9. Koha e rregullt përfundoi baras 1:1.
“Për ne kampionati ka përfunduar me lojën e fundit kampionale. Sot vetëm e kemi kryer obligimin tonë që e kemi pasur. Këta lojtarë meritojnë lëvdata, sepse sot dhanë gjithçka nga vetja. Kemi bërë një lojë shumë të mirë. Fitorja ndaj Ballkanit është diçka e mirë për të gjithë, sepse Ballkani është ekipi më i mirë, tri herë kampion i Kosovës dhe fitues i Kupës”, ka thënë Statovci të mërkurën për KOHËN.