Futboll

Stadiumi më i madh në vend pritet të hapet sivjet

Stadiumi i Gjilanit

Nëpërmjet pesë fotografive, ministri në detyrë i Kulturës, Rinisë dhe Sportit (MKRS), Hajrulla Çeku, ka paraqitur punët që janë kryer deri tash në stadiumin “Adem Jashari” në Mitrovicë.

Punët në rinovimin e stadiumit buzë lumit Ibër në Mitrovicë vazhduan në shkurt të vitit të kaluar pas ndërprerjes shumë të gjatë, ndërsa është premtuar se do të përfundojnë sivjet.

“Brenda këtij viti punët pritet të përfundojnë, duke i dhënë qytetit një stadium të ri, modern dhe njëherësh më të madhin në vend - në shërbim të klubeve, sportistëve dhe tifozëve mitrovicas”, ka shkruar ministri Çeku të enjten pas vizitës në stadiumin “Adem Jashari” në Mitrovicë.

Në fakt rinovimi i stadiumit olimpik “Adem Jashari” është dashur të përfundonte në vitin 2023, bazuar në anekskontratën e lidhur në mes të operatorit dhe financueses, MKRS-së në shtator të vitit 2021. Por, kjo nuk ndodhi. Ishin bërë pak punë që u ndërprenë shpejt dhe objekti ishte lënë si më keq. Ishte shndërruar në gërmadhë pas ndërprerjes së punëve.

Kostoja e projektit për rinovimin e stadiumit “Adem Jashari” është rreth 16 milionë euro. Nuk është hera e parë që investohet në stadiumin “Adem Jashari”.

Në vitin 2014 MKRS-ja i kishte investuar 740 mijë euro. Por shpejt stadiumi u dëmtua. Në vitin 2017 u investuan një milion e gjysmë, prej të cilave 700 mijë euro për reflektorë i ndau Federata e Futbollit e Kosovës, që stadiumi t’i plotësojë kriteret e kategorisë së dytë, përkatësisht që klubet kosovare t’i organizojnë ndeshjet për garat evropiane. Edhe ai renovim shkoi dëm dhe askush nuk mori përgjegjësi.

Stadiumi “Adem Jashari” premtohet të jetë modern. Është thënë se do të jetë plotësisht i mbuluar. Aktualisht e ka një tribunë të mbuluar.

Aktualisht vetëm stadiumi “Fadil Vokrri” i plotëson kriteret

Për ndeshje të përfaqësueses aktualisht vetëm stadiumi “Fadil Vokrri” i plotëson kriteret. Stadiumi “Fadil Vokrri  menaxhohet nga FFK-ja.

Ministri Çeka ka njoftuar po ashtu për punët që po bëhen në stadiumet e Shtimes, Gjakovës dhe Kamenicës. Po ashtu ka theksuar se punimet do të nisin edhe në Rahovec, Prizren dhe Suharekë.

“Me këtë përkushtim e seriozitet nuk është investuar asnjëherë në infrastrukturën e futbollit në vend”, ka shtuar ministri Çeku.

Janë vetëm disa nga shumë projekte të premtuara se do të përfundojnë deri para vitit 2030, kur mbahen ‘Lojërat Mesdhetare”.

Kosova përkatësisht Prishtina është organizatore e Lojërave Mesdhetare të vitit 2030. Qindra miliona euro pritet të investohen për të përmirësuar infrastrukturën sportive para se të mbahet kjo ngjarje shumësportëshe.

Në vitet e fundit janë ndërtuar shumë objekte sportive në Kosovë. Por fare pak prej tyre janë ndërtuar si duhet, me standardet e kërkuara dhe me material cilësor.

Është bërë “histori” edhe rinovimi i stadiumit në Gjilan.