Mërgim Berisha kishte telashe me trajnerin Pellegrino Matarazzo para pushimit për shkak të ndeshjeve të përfaqësueseve dhe ishte suspenduar.
Nuk dihej se kur do të kthehej sërish te skuadra e Hoffenheimit.
Por të premten, mediumi “Kicker” ka njoftuar se situata e tensionuar mes Berishës dhe trajnerit Matarazzo është sqaruar.
Sulmuesi do të jetë i gatshëm për lojë për duelin ndaj Bochumit, që luhet të shtunën nga ora 15:30.
Ndërmjetësues në sqarimin e situatës ka qenë drejtori sportiv Andreas Schicker.
“Mërgim Berisha lejohet të kthehet”, ka thënë Matarazzo të premten.
“Ai ka kompletuar stërvitjen me grupin të enjten. Berisha e ka shfrytëzuar mirë kohën e suspendimit për të reflektuar dhe për t’u kthyer në rrugën e duhur e për të na ndihmuar të shënojmë gola”, ka thënë fillimisht Matarazzo.
Matarazzo konfirmoi se për këtë vendim ka ndikuar drejtori sportiv.
“Ka pasur disa biseda. Andreas Schicker ka luajtur rol të vazhdueshëm dhe ne jemi të lumtur që e kemi atë sërish në skuadër”, ka deklaruar Matarazzo në konferencën për shtyp.
Berisha në edicionin aktual në të gjitha garat ka zhvilluar shtatë ndeshje. E ka një gol të shënuar e një asistim.
26-vjeçari ka zhvilluar 13 paraqitje për grupmoshën U21 të Gjermanisë, ndërsa dy herë ka luajtur për Gjermaninë në ndeshje miqësore.