Futboll

Sloti flet për ndeshjen e tensionuar me Evertonin

Sloti flet për ndeshjen e tensionuar me Evertonin

Arne Slot ka thënë se “e kishin kapluar emocionet”, teksa trajneri i Liverpoolit është në pritje të dënimit pasi u ndëshkua me karton të kuq pas përfundimit të derbit Merseyside ndaj Evertonit në “Goodison Park” të mërkurën. 

Holandezi 46-vjeçar u ndëshkua me karton të kuq pasi iu afrua gjyqtarit Michael Oliver pas vërshëllimës së fundit të gjyqtarit dhe pati diskutim me të. 

Evertoni i barazoi shifrat në minutën e 98-të dhe ndeshja dramatike u mbyll 2:2. 

Pas përfundimit, Abdoulaye Doucoure i Evertonit dhe Curtis Jones i Liverpoolit, u përjashtuan nga loja pasi u përfshinë në një përleshje. 

“Është proces që është duke vazhduar dhe unë duhet ta pranoj rezultatin në fund. Më kapluan emocionet. Mund të reagoja ndryshe. Do të doja të reagoja ndryshe dhe shpresoj të reagoj ndryshe herën tjetër”, ka deklaruar Slot në konferencën për shtyp të premten. 

Sipas situatës momentale, Sloti do ta udhëheqë skuadrën të dielën kundër Wolverhamptonit në stadiumin “Anfield”, nëse nuk merret ndonjë vendim më herët. 

Premier League, sipas faqes zyrtare, e kishte dënuar Slotin me dy ndeshje për përdorimin e gjuhës fyese, por më pas ky publikim në sajtin zyrtar ishte fshirë.