Liverpooli ka përgjegjësi të madhe në “Anfield” për ta siguruar titullin e 20-të në elitën e futbollit anglez të dielën, ka thënë trajneri Arne Slot.
Barazimi i Arsenalit me Crystal Palacen të mërkurën do të thotë se “të kuqtë” duhet ta sigurojnë vetëm një pikë ndaj Tottenhamit për ta fituar Premier Leaguen, kur kanë mbetur edhe katër xhiro deri në fund.
Liverpooli së fundmi e siguroi titullin në edicionin 2019-20 nën drejtimin e trajnerit Jurgen Klopp. Ishte kohë kur tifozët nuk lejoheshin të hynin në stadiume për shkak të pandemisë së koronavirusit.
Ishte triumfi i parë i Liverpoolit në elitën angleze të futbollit në 30 vjet.
“Është përgjegjësi sepse jemi të vetëdijshëm që herën e fundit kur ky klub e fitoi ligën, ishte kohë e Covidit. Tani e dimë që kemi punë për të bërë dhe na duhet të paktën një pikë”, ka thënë holandezi Slot.
Tottenhami është pa fitore në “Anfield” që prej vitit 2011, ndërsa këtë edicion ka 18 humbje në ligë.
Synimi i Tottenhamit është Liga e Evropës. Tottenhami në gjysmëfinale luan kundër Bodo/Glimtit të enjten.