Skuadra shqiptare e elitës së futbollit të Maqedonisë së Veriut, Voska Sport, ka njoftuar të shtunën se është tërhequr nga kampionati elitar.
Skuadra nga Ohri është ndarë e pakënaqur me vendimin që ka marrë Komisioni Disiplinor i Federatës së Futbollit të Maqedonisë së Veriut, me heqjen e nëntë pikëve.
Dënimi ka ardhur pasi në minutën e 76-të të ndeshjes ndaj Vardarit, që i takoi xhiros së 28-të, ekipi i Voska Sport u tërhoq nga fusha me pretendimin se janë dëmtuar nga gjyqtarët e ndeshjes.
Më 21 prill, Voska Sport në Facebook ka shfaqur disa momente të ndeshjes ndaj Vardarit, ku shkruajnë se janë dëmtuar rëndë dhe për ato raste kanë vendosur të mos e përfundojnë ballafaqimin.
“Tërhiqemi nga kampionati, ia ‘falim’ FFM-së edhe 13 pikët e mbetura!. Klubi i futbollit Voska Sport ka marrë vendimin për t'u tërhequr nga kampionati i Ligës së Parë. Një vendim i cili vjen pas një vendimi të papritur dhe të papranueshëm të Komisionit të Disiplinës pranë Federatës së Futbollit të Maqedonisë së Veriut, i cili na ka dënuar me heqjen e 9 pikëve, në një moment të nxehtë të garës për mbijetesë, kur kanë mbetur edhe 5 xhiro për tu luajtur deri në fund të sezonit”, ka shkruar Voska Sport në komunikatën e publikuar të shtunën.
Klubi nga Ohri ka shkruar po ashtu se në stinorin pranveror, skuadra ka luajtur edhe ndaj kundërshtarëve por edhe ndaj arbitrave. Sipas Voska Sportit, kjo ka ndodhur qëllimisht.
“Ata kanë bërë gjithçka për të na larguar nga ky kampionat, ku si pengesë e vetme si duket ka qenë se jemi klub shqiptar. Nëse ky është futbolli që ata duan, atëherë ne nuk jemi të gatshëm të jemi pjesë e saj”, ka njoftuar Voska Sport.
Voska Sport e siguroi promovimin në Ligën e Parë të Maqedonisë së Veriut në vitin 2023, që ishte edhe historik.
Skuadra shqiptare në edicionin 2023/24 arriti që të kualifikohet për herë të parë në finale të Kupës së Maqedonisë së Veriut.
Megjithatë, në maj të vitit të kaluar u mposht nga Tikveshi me rezultatin 2:1.
Voska Sport pas 28 xhirove të luajtura ishte e fundit me 13 pikë.