Lille, ashtu si thuajse çdo ekip tjetër në Champions, është autsajder ndaj Real Madridit. Por te klubi francez shpresojnë të befasojnë kampionin në fuqi të Evropës.
Lille e pret Real Madridin të mërkurën prej orës 21:00, në kuadër të xhiros së dytë të Ligës së Kampionëve. Madrilenët në xhiron e parë fituan 3:1 ndaj Stuttgartit. Megjithatë, ndeshja në “Santiago Bernabeu” ishte shumë e fortë dhe thuajse e barabartë.
Lille, ku reprezentuesi i Kosovës, Edon Zhegrova, është prej lojtarëve kryesorë ofensivë, në xhiron e parë pësoi 2:0 nga Sportingu.
Madrilenët kanë udhëtuar për në Francë për tri pikë të reja dhe për hapin tjetër drejt sigurimit të hershëm të fazës nokaut. Ndërkohë, te Lille kanë premtuar maksimumin në tentim për ta befasuar Real Madridin.
“Disa vjet më parë isha mjaftueshëm më fat sa ta mposhtja Real Madridin 3:0 me PSG-në. Nuk ishim favoritë as në atë ndeshje. Kështu që një rezultat pozitiv asnjëherë nuk është i pamundur”, ka thënë Thomas Meunier, mbrojtësi me përvojë i Lille.
Trajneri i Lillet, Bruno Genesio, ka thënë se skuadra “ka ambicie për rezultat, përndryshe do të qëndronte në shtëpi”.
“Magjia e futbollit është se ndonjëherë ekipi i vogël mund ta mposhtë ekipin e madh dhe ne do të bëjmë çdo gjë që të realizojmë këtë”, ka vazhduar Genesio.
Lille i ka tetë mungesa për ndeshjen ndaj Real Madridit. Zhegrova është i gatshëm dhe pritet të startojë.
Ndërkohë te Real Madridi kthehet superylli Kylian Mbappe, që mungoi në fundjavë për shkak të një lëndimi në muskujt e kofshës.
“Ai është rikuperuar mirë, shumë shpejtë. Do të marrim vendimin më të mirë për të, duke marrë parasysh se gjëja e fundit që duam është të rrezikojmë. Ai dëshiron të luajë pasi ndihet mirë. Nëse është 100 për qind i gatshëm dhe nuk ka rrezik, ai do të paraqitet nga minuta e parë”, ka thënë trajneri i Real Madridit, Carlo Ancelotti.
Synimi i klubit mbretëror natyrisht është fitorja në Francë.
“Në formatin e ri duhet të shtojmë pikë dhe ne jemi këtu për të bërë këtë, duke pranuar cilësinë e kundërshtarit që luan shumë mirë dhe ka lojtarë të rinj kualitativë. Si gjithnjë, në ndeshje duhet të luftosh, të luftosh dhe të garosh. Ne jemi të bindur se mund ta përmirësojmë nivelin dhe jemi gati për këtë. Do të shfaqim më të mirën shumë shpejt”, ka shtuar Ancelotti.
Të mërkurën mbrëma janë nëntë ndeshje të xhiros së dytë.
Prej orës 18:45 janë takimet Shakhtar – Atalanta e Girona – Feyenoord.
Prej orës 21:00 luajnë tjera skuadra të mëdha evropiane. Liverpooli llogarit në fitore ndaj Bolognas, ndërsa Juventusin e pret udhëtim i vështirë te Leipzigu.
Lehtë nuk do ta ketë as Bayerni, që luan në Angli ndaj Aston Villas.
Benfica – Atletico Madrid, Dinamo – Monaco dhje Sturm Graz – Club Brugge janë ndeshjet tjera që nisin në orën 21:00.