Ndeshjet gjysmëfinale të Kupës së Kosovës në futboll nuk do të zhvillohen të mërkurën, ashtu siç ishte planifikuar. Vendimin e mori Komisioni i Garave i Federatës së Futbollit të Kosovës, të martën.
Ndeshjet Drita – Prishtina dhe Ballkani – Suhareka është dashur të zhvillohen të mërkurën. Por e mërkura është shpallur ditë zije nga presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani. Dhe rrjedhimisht janë shtyrë edhe ndeshjet e Kupës.
“Pas vendimit të presidentes së Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, që ditë e mërkurë të shpallet ditë zije, Komisioni i Garave ka vendosur të shtyjë ndeshjet e parapara për këtë datë. Ndeshjet e kthimit gjysmëfinale të Kupës së Kosovës do të zhvillohen më 24 prill”, ka njoftuar FFK-ja.
Më 3 prill, Ballkani kishte fituar 1:0 ndaj Suharekës, ndërsa Prishtina e Drita kishin luajtur pa gola.
Ndeshjet janë shtyrë edhe në hendboll. Për të mërkurën ishte planifikuar xhiro e rregullt në Superligën e hendbollistëve.
“Ndeshjet e planifikuara për të mërkurën janë shtyrë me vendim të Komesarit të Garave të FHK-së, Vendimi u komesarit u mor për shkak se presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, shpalli të mërkurën ditë zije. Ndeshjet e planifikuara për të mërkurën do të zhvillohen të enjten”, ka njoftuar FHK-ja.
Presidentja Osmani vendosi “të shpallet zija shtetërore në tërë territorin e Republikës së Kosovës, në kujtim të të gjitha grave dhe vajzave të vrara në Kosovë si rezultat i dhunës në baza gjinore”.
Zija shtetërore u shpall pas vrasjes së dy grave brenda pak ditëve.