Futboll

Shqiptarët me katër klube përfaqësuese në Ligën e Kampionëve

Futbolli i shqiptarëve

Ballkani i Suharekës, Partizani i Tiranës dhe Struga ishin ekipet shqiptare që u paraqitën në kualifikimet e Ligës së Kampionëve të edicionit 2023/2024, që nuk ka përfunduar ende. Në edicionin 2022/2023 prej klubeve shqiptare ishin Ballkani, Tirana e Shkupi. Një edicion më herët ishin Prishtina, Shkëndija e Tetovës dhe Teuta e Durrësit.

Tri skuadra shqiptare në garën elitare evropiane, përkatësisht në kualifikime, ishin edhe në edicionin 2018/19 – Drita e Gjilanit, Kukësi e Shkëndija – dhe atë 2019/2020 – Feronikeli, Shkëndija e Partizani.

Dhe në edicionin e ardhshëm garues, 2024/2025, shqiptarët me shumë mundësi do t’i kenë katër skuadra përfaqësuese në Champions. Kosova e Shqipëria sërish do të kenë nga një skuadër në kualifikimet e Championsit. Në Maqedoni të Veriut  sërish do të triumfojë ndonjëra prej skuadrave shqiptare. Dhe treshes kampione, me shumë gjasë do t’u bashkohet Deçiqi.

Deçiqi është klub shqiptar nga Tuzi, që po marshon drejt titullit të kampionit në Malin e Zi.

Gjashtë xhiro para fundit, Deçiqi i ka 57 pikë në pozitën e parë. Buduqnosti i Podgoricës është në vend të dytë me 54 pikë e Sutjeska në vend të tretë me 52 pikë. Deçiqi e ka në dorë fatin e garës për titull. Skuadra nga Tuzi ka traditë të gjatë, por po e kalon momentin më të mirë që nga themelimi në vitin 1926.

Në tri edicionet e kaluara Deçiqi u rendit dy herë i treti e një herë i katërti. Dy herë ka humbur në finale të Kupës së Malit të Zi në vitet e fundit. Tashmë është në gjysmëfinale të Kupës dhe më e rëndësishmja, është në vendin e parë në kampionat. Së shpejti Deçiqi do të bëhet edhe me stadium modern, kështu që forca e këtij klubi në Mal të Zi sa shkon e rritet.

Ditë më parë tifozët e Buduqnostit bënë fyerje në baza kombëtare, përkatësisht ndaj shqiptarëve, në ndeshjen ndaj Deçiqit. Fyerje të tilla ka pasur edhe më herët dhe kjo në një mënyrë po shndërrohet në forcë për malësorët nga Tuzi.

“Jemi të vendosur që të dalim kampion për herë të parë në histori të klubit, por jo edhe për herë të fundit. Do të jemi skuadra e katërt shqiptare që do të garoj në kualifikimet për Ligën e Kampionëve, së bashku me kampionët e Shqipërisë, Kosovës dhe Maqedonisë së Veriut. Është epoka e shqiptarëve, apo jo”, ka thënë për KOHËN presidenti i Deçiqit, Pal Dreshaj.

Deçiqi përshkurtazi  e humbi pozitën e parë, por e ktheu atë të dielën me fitoren ndaj Mladostit.

Atë që Deçiqi e synon në Mal të Zi, tashmë janë duke e realizuar skuadrat shqiptare në Maqedoni të Veriut. Por Deçiqi e ka dukshëm më vështirë, pasi është skuadër e vetme shqiptare në elitë. Në Maqedoni të Veriut, gjysma e skuadrave elitare janë shqiptare. Kryesoret madje.

Struga, Shkupi e Shkëndija janë tre kampionët e fundit. Struga ka fituar titullin për herë të parë, njëjtë si Shkupi. Shkëndija e Tetovës tashmë i ka katër tituj, të fundit në edicionin 2020/2021. Kjo renditje është edhe aktualisht. Struga është e para me 58 pikë. Shkupi i ka 55 pikë në pozitën e dytë, ndërsa Shkëndija renditet e treta me 52 pikë. Tikveshi i vendit të katërt ka mbetur shumë prapa, me 39 pikë.

Voska e Gostivari janë skuadrat tjera shqiptare në kampionatin e Maqedonisë së Veriut. Voska e Ohrit ka arritur në finale të Kupës, për herë të parë në histori. Pra ndikimi sa shkon e rritet.

Deri në fund të kampionatit në Maqedoni të Veriut kanë mbetur edhe pesë xhiro.

“Janë pesë javë dhe duhet vlerësim maksimal për çdo kundërshtar. Ndeshjet do t’i marrim një nga një pasi në futbollin e sotëm nuk ka kundërshtarë të fortë apo të lehtë. Nëse luajmë deri në fund duke diktuar tempin dhe duke krijuar raste, besoj se mund të përsërisim suksesin e vitit të kaluar”, ka thënë trajneri i Strugës, Shpëtim Duro.

Në Kosovë, garë të fortë për titull po zhvillojnë Ballkani, Drita e Llapi. Ballkani i ka 60 pikë, ndërsa Drita e Llapi nga 58. Janë edhe gjashtë xhiro deri në fund.

Në Shqipëri gara për titull thuajse ka përfunduar. Pas xhiros së 32-të, Egnatia e Rrogozhinës udhëheq me 60 pikë. Vllaznia e Shkodrës i ka 52 e Partizani i Tiranës 51. Janë edhe katër xhiro deri në fund.

Gjitha skuadrat shqiptare, ato që kualifikohen, do të fillojnë garimin në raundin e parë kualifikues të Ligës së Kampionëve. Shorti është më 18 qershor, ndërsa ndeshjet janë më 9 e 10 korrik dhe 16 e 17 korrik.