Përfaqësueset në Kampionatin Evropian të futbollit mund të përzgjedhin tre lojtarë më shumë në ekipet me 26 lojtarë, pasi të premten UEFA ra dakord të ndryshojë rregullat e turneut të madh.
Trajneri i Holandës, Ronald Koeman dhe ai i Anglisë, Gareth Southgate, ishin në mesin e atyre që i kërkuan UEFA-s që t’i lejonte të përzgjedhin më shumë lojtarë për turneun që fillon më 14 qershor dhe zhvillohet deri më 14 korrik. Një kërkesë e tillë ishte bërë për shkak të brengave për lëndimet e shumta.
Ka kohë që ekipet përfaqësuese përbëheshin nga 23 lojtarë, por u rritën nga UEFA në 26 për Euro 2020. Ky kampionat ishte shtyrë dhe ishte mbajtur në vitin 2021. Njëjtë ishte vepruar edhe për Kupën e Botës 2022, në mënyrë që të përballeshin më lehtë rastet eventuale me COVID.
Dhe për “Gjermania 2024”, UEFA vendosi që skuadrat të kenë sërish 26 lojtarë.
“Rritja nuk është obligative për federatata nacionale që marrin pjesë në Evropian”, ka thënë UEFA në një deklaratë.
Shtimi deri në 72 lojtarë gjithsej duhet të ulë tarifën ditore që UEFA ua paguan klubeve për lirimin e lojtarëve për Euro 2024.
UEFA kishte rënë dakord me Shoqatën Evropiane të Klubeve për të ndarë 140 milionë euro nga të hyrat totale të Evropianit prej më shumë se 2 miliardë euro. Këto para duhet t’u shpërndahen klubeve që lirojnë lojtarët për Evropian. 100 milionë euro të tjera iu ndanë klubeve që kanë liruar lojtarët për ndeshjet kualifikuese për Euro 2024 dhe për Ligën e Kombeve.
Pas Euro 2020, Chelsea mori pagesën më të madhe prej 5,1 milionë euro. Fondi i përgjithshëm i përfitimeve të klubeve nga UEFA ishte 200 milionë euro.
Shumë lojtarë do të përfitojnë nga vendimi i UEFA-s. Ndër të tjera edhe disa prej lojtarëve të Shqipërisë. Sylvinho tani e ka të drejtën e përzgjedhjes së tre lojtarëve shtesë. Dhe prej vendimit të UEFA-s mund të përfitojnë edhe Mirlind Daku, Arbnor Muja e ndonjë tjetër.