Në minutën e 81-të, nëntë minuta pasi u inkuadrua në fushë në vend të Eliot Bujupit, Deli Hajdini i Stuttgartit U19 vrapoi në hapësirë dhe në mënyrë të përkryer kontrolloi topin.
E udhëhoqi topin me shpejtësi drejt portës së Sparta Pragës. Pasi mashtroi kundërshtarin, prekja e radhës e topit ishte gjuajtje e ulët që përfundoi në portë. Hajdini festoi golin e parë në Ligën e
Kampionëve për të rinj me fanellën e Stuttgartit U19.
Stuttgarti shënoi fitore 3:0 të martën pasdite.
“Nuk ishte goli më i mirë, por ishte më i veçanti”, tha futbollisti i lindur në Gjilan, të mërkurën për KOHËN.“Jam shumë i lumtur për golin e realizuar. Ishte dhuratë e mirë për ditëlindje”, ka vazhduar
sulmuesi i krahut të majtë.
Hajdini në tetë ndeshje të këtij edicioni në kampionatin U19 të Gjermanisë ka shënuar pesë gola dhe ka asistuar katër herë.
“Deri tash më ka shkuar shumë mirë. Jam shumë i kënaqur me hapat që i kam bërë deri tash”.
Ekipit U19 të Stuttgartit iu bashkua në fillim të korrikut. Para se t’i bashkohej Akademisë së klubit të njohur gjerman, Hajdini ishte te Stuttgarter Kickers, Ditzingen dhe Sonnenhof Grobaspach.
Me Stuttgartin ka kontratë deri në qershor të vitit të ardhshëm.
“Këtë vit dhe tjetrin do të paraqitem për ekipin U23 të Stuttgartit dhe pastaj të shohim", thotë ai.
Nga Kosova drejt Gjermanisë u largua si 4-vjeçar, ndërsa të mërkurën festoi ditëlindjen e 18-të.
“Babai im në Gjermani ka ardhur para 30 vjetësh. Si familje jemi pritur shumë mirë në Gjermani. Jemi integruar shumë shpejtë”, tregon Hajdini.
Dëshira e tij është të paraqitet në të ardhmen për Kosovën A.
Për Kosovën U19 ka shënuar dy gola në tri ndeshje miqësore.
Selektori i ekipit U19, Adil Maliqi, thotë se Hajdini është e ardhmja e Kosovës.
“Është një djalë shumë i mirë. Ka disiplinë si jashtë, ashtu edhe brenda fushës. Ai ka një të ardhme të ndritur. Besoj se vlerat e tij do t’i shërbejnë edhe Kosovës në të ardhmen”, ka thënë Maliqi.
Hajdini është njëri prej disa lojtarëve që Maliqi i ka afruar te Kosova U19.
Maliqi ka shpresë se Hajdini do të arrijë lartë edhe në nivel klubesh.
Sa lart synon të ngjitet në karrierë, e thotë vetë Hajdini.
“Synimi është të paraqitem në Bundesligë, ndërsa ëndrra është të luaj për Real Madridin”, ka thënë ai.
Hajdini tashmë ka luajtur një ndeshje kundër Real Madridit. Stuttgarti U19 humbi 1:0 nga Madridi në xhiron e parë të Ligës së Kampionëve për të rinj.