Futboll

Shifrat e veçanta të Xherdan Shaqirit

Xherdan Shaqiri

Në 11 paraqitjet e  para në Superligën e Zvicrës, Xherdan Shaqiri ishte i përfshirë në 12 gola. Ka pesë gola të realizuar e shtatë asistime, si askush tjetër në ligën elitare të Zvicrës. Ai është para bashkëlojtarit Benie Traore, ndonëse ka nisur të luajë për Baselin prej xhiros së pestë.

Mesatarisht organizatori i lojës së Baselit është i përfshirë në shënimin e një goli çdo 63 minuta. Ai është asistuesi më i mirë në ligë. Në pesë ndeshjet e fundit i ka shënuar apo i ka asistuar plot 11 gola.
Goli për 1:0 në fitoren 3:1 ndaj Servettes, të dielën, u shënua nga Shaqiri prej goditjes së dënimit. Ishte goli i tij i 12-të në karrierë nga gjuajtja e lirë. Katër prej këtyre golave i ka realizuar për Baselin. Vetëm edhe dy lojtarë të  Superligës së Zvicrës kanë shënuar direkt nga gjuajtja e lirë këtë edicion.
Goli i tij nga gjuajtja e lirë, po ashtu, është i tretë me goditje jashtë zonës. Dy të tjerët i realizoi në fitoren 6:1 të Baselit ndaj Winterthurit. Asnjë lojtar tjetër në Superligë nuk e ka arritur këtë shifër. Vetëm edhe Pius Dorn i Luzernit ka më shumë se një gol nga distanca këtë edicion.

Ndaj Servettes, Shaqiri shënoi “hat-trickun” e parë në ndeshjen e 488-të në karrierën profesionale. Por në 125 ndeshje ndërkombëtare nga tre gola i shënoi dy herë – ndaj Bullgarisë në vitin 2011 dhe ndaj Hondurasit në vitin 2014. 

Mesfushori nuk ka shënuar shpesh as nga dy gola në ndeshje. Në të gjitha ndeshjet me Baselin, Bayernin, Interin, Stoke Cityn, Liverpoolin, Lyonin dhe Chicagon, Shaqiri ka shënuar nga dy gola në dhjetë raste. Së fundi këtë e arriti në fund të tetorit ndaj Winterthurit.

Për 2:1, Shaqiri realizoi nga topi i kthyer nga portieri i Servettes, Jeremy Frick. Ai ndali gjuajtjen e Shaqirit nga pika e bardhë, por e gjitha kaloi pa pasoja për futbollistin e Baselin. Ai vetëm për herë të dytë në karrierë ka dështuar nga pika e bardhë. Në total, 33-vjeçari ka gjuajtur 17 penallti dhe ka shënuar 15 herë. Në vitin 2018 gjuajtjen e tij e ndali Lukasz Fabianski i Sëanseas. Atëbotë Shaqiri ishte pjesë e Stoke Cityt.