Futboll

Shaqiri u jep fund diskutimeve për kthim te Zvicra

Xherdan Shaqiri

Xherdan Shaqiri po vazhdon të shfaqet në nivel të lartë dhe kjo ka bërë që në Zvicër të ketë diskutime për mundësinë e kthimit të tij në përfaqësuese. Shaqiri i dha fund karrierës te Zvicra në verën e kaluar, pas Kampionatit Evropian të futbollit. Më pas u kthye te Baseli nga SHBA-ja dhe po e udhëheq këtë skuadër drejt titullit të kampionit.

Të hënën 33-vjeçari realizoi gol dhe tri asistime në një fitore 5:0 të Baselit. Ishte ndeshja e xhiros së fundit të pjesës së rregullt të kampionatit. Në plejof janë edhe pesë xhiro të tjera, ndërsa Baseli pritet shpejt ta konfirmojë titullin.

Shaqiri tani i ka 14 gola dhe 17 asistime në 29 paraqitje kampionale për Baselin. Por kthimi te Zvicra nuk është opsion për të, me gjithë diskutimet e fundit.

“Ekipi nacional nuk është çështje për mua”, ka thënë për televizionin zviceran fituesi i dyfishtë i Ligës së Kampionëve. Shaqiri ka lënë të kuptohet se do të fokusohet plotësisht te sukseset me Baselin.

Sajti i njohur zviceran, “20 Minuten”, ka shkruar se në 17 ligat më të mira evropiane vetëm Mohamed Salah i Liverpoolit rivalizon Shaqirin për shifrat e këtij edicioni. Ylli nga Egjipti, Salah, i ka 27 gola e 18 asistime në 33 ndeshje. Sipas këtij mediumi, nuk është befasuese që shumë njerëz kanë pyetur nëse Shaqiri do të kthehet te Zvicra, pas formës që e ka shfaqur së fundi. Pas pensionimit të Shaqirit, Zvicra ka pasur telashe të mëdha për të arritur rezultate pozitive. Ai e ka përfunduar karrierën me 125 paraqitje për Zvicrën.

“Jam shumë i kënaqur se si janë gjërat për momentin”, ka thënë Shaqiri.

Baseli e fillon plejofin me epërsi prej gjashtë pikësh ndaj përcjellësit të parë.

“Ne e marrim secilën ndeshje me shumë seriozitet. Qartë se qëllimi ynë është të bëhemi kampionë”, thotë ish-futbollisti i Bayernit, Interit e Liverpoolit.

Baseli, që po e pret titullin prej vitit 2017, është edhe në gjysmëfinale të Kupës. Pas katër ditësh përballet me Lausannen. Finalja është më 1 qershor.

“Shaqiri ka edhe një tjetër rekord në mendje. Ai është vetëm tri asistime larg rekordit të Miroslav Stevanoviqit prej 20 asistimeve. Duket një e arritur reale për Xhaqirin në topformë”, shkruan “20 Minuten”.