Futboll

Shaqiri: Në fushë jam shqiptar i pasionuar

Xherdan Shaqiri

Superylli i Baselit, Xherdan Shaqiri, ka folur për fëmijërinë e vështirë, luksin, popullaritetin dhe ëndrrën e tij më të madhe – të fitoj titullin me Baselin si kapiten. Ka folur po ashtu edhe për karakterin e tij.
“Në fushë, pa dyshim jam shqiptar i pasionuar – me emocione. Megjithatë, në jetën e përditshme jam shumë zviceran: i përpiktë, i besueshëm. Mendoj se i kombinoj të dy mentalitetet”, ka thënë Shaqiri për “Blue Sport” të mërkurën.

Shaqiri 33-vjeçar u lind në Gjilan, ndërsa është rritur në Zvicër. Familja Shaqiri u vendos në Augst, Zvicër, në vitin 1992. Ai ka folur rregullisht gjatë intervistave për dashurinë që ka për vendin e lindjes - Kosovën.

Shaqiri si 17-vjeçar pati marrë pjesë në kampin e Kosovës për zbulimin e talenteve që ishte mbajtur nga 1 deri më 3 dhjetor të vitit 2008 në Basel. Por luajti vetëm për Zvicrën gjatë karrierës. Kishte karrierë impresive me përfaqësuesen, ndërsa është i vetmi lojtar që ka shënuar gola në gjashtë ngjarjet e fundit të mëdha, tre botërorë e tre evropianë.

Për Zvicrën i ka luajtur 125 ndeshje, ndërsa i ka shënuar 32 gola. Secili gol i tij ishte më i bukur e më i rëndësishëm se tjetri. Por golat e shënuar ndaj Serbisë, në Rusi dhe Katar, kanë bërë që Shaqiri të fitojë edhe më shumë zemrat e shumë tifozëve shqiptarë.

Ai ka folur për fëmijërinë e vështirë.

“Fëmijëria më ka formuar shumë. Të gjithë kemi lindur në Kosovë, përveç motrës time. Ne patëm një fëmijëri të vështirë. U rritëm në një shtëpi të vjetër – pa ngrohje të mirë. Kjo pati një ndikim të madh tek unë. Nëse keni shumë gjëra sot, e kaluara ju ndihmon të qëndroni në tokë”, është shprehur Shaqiri.
Për Shaqirin i rëndësishëm është shëndeti.

“Luksi është i mirë, por jo gjëja më e rëndësishme. Për mua shëndeti është gjëja më e rëndësishme. Unë jam një person me këmbë në tokë – si familja ime. Më pëlqen të jetoj afër realitetit”, thotë Shaqiri.
Shaqiri po udhëheq Baselin drejt titullit të kamionit. Sezonin e rregullt e përfundoi në vendin e parë. Plejofin e nis gjashtë pikë para përcjellësit të parë.

“Ëndrra ime dhe qëllimi im është një titull me Baselin si kapiten”. 

Baseli, që po e pret titullin prej vitit 2017, është edhe në gjysmëfinale të Kupës. Në këtë fazë përballet me Lausannen. Finalja është më 1 qershor.

Shaqiri ka shënuar 14 gola dhe ka kontribuar me 17 asistime në 29 paraqitje kampionale për Baselin.