Futboll

Shaqiri i gëzohet fitores në “klasiken” e Zvicrës

Xherdan Shaqiri

Xherdan Shaqiri ka kontribuuar me asistim në fitoren e Baselit në udhëtim ndaj Zurichut të dielën me rezultat 1:0. Ndeshja Zurich – Basel i takoi javës së 21-të të Superligës zvicerane të futbollit.

Kapiteni Shaqiri asistoi për golin e vetëm të shënuar nga Kevin Carlos në minutën e 36-të. Kevin shënoi me kokë pas harkimit të Shaqirit. “Bluwin” ka shkruar se Shaqirit i ka takuar epiteti i lojtarit të ndeshjes. Asistimi në “klasiken” e Zvicrës ishte i 11-ti për Shaqirin. Dhjetë asistime e gjashtë gola i ka në Superligë, ndërsa për Kupë të Zvicrës ka dy gola e një asistim.

“Një natë shumë e mirë për të gjithë lojtarët dhe tifozët e Baselit. Kjo tregon se jemi në rrugën e duhur. Klasiket janë gjithmonë të veçanta dhe keni mundur ta shihni këtë prej momentit kur nisëm ndeshjen. Ishte natë e mirë për të gjithë. Keni mundur ta shihni qartë se kemi luajtur lojë shumë agresive. Po ashtu keni mundur ta shihni se ata kishin shumë lojtarë ofensivë në fushë. Në fund, ne luajtëm shumë mirë. Në fund përfundoi kështu. Po i bëjmë gjërat paksa emocionuese për momentin. Mendoj se kjo është gjë e rëndësishme. Por duhet t’i mbyllim ndeshjet dhe të mos i bëjmë emocionuese në fund. E kishim super Marwinin në portë, i cili priti penallti. Kjo tregon se e kemi portierin më të mirë në ligë”, ka thënë Shaqiri pas fitores.

Shaqiri u zëvendësua në minutën e 93-të të derbit zviceran të futbollit. Deri në fund të ndeshjes luajti edhe Leon Avdullahu. 

Taulant Xhaka mungoi shkaku i lëndimit, kurse Albian Ajeti shkaku i suspendimit.

Shkaku i suspendimit, Zurichut i mungoi Lindrit Kamberi.

Baseli zë vendin e dytë me 37 pikë, një më shumë ka Lugano në vendin e parë. Zurichu është në vendin e gjashtë me 30 pikë.