Sulmuesi i Dinamo Bukureshtit, Astrit Selmani, ka pësuar tronditje në tru të dielën mbrëma. Ai është dërguar në spital menjëherë pas ndeshjes me FCSB-në.
Selmani e kompletoi ndeshjen e së dielës mbrëma që i takoi kampionatit rumun.
Gjatë ndeshjes, mbrojtësi i krahut të djathtë të FCSB-së, Valentin Cretu, e goditi me këmbë në kokë sulmuesin kosovar.

Klubi rumun ka njoftuar se gjendja e Selmanit është stabile dhe se ai është jashtë rrezikut për jetë.
“Pas ndeshjes mes Dinamos dhe FCSB-së, lojtari ynë, Astrit Selmani, ka pësuar tronditje në tru, pas një dueli me një kundërshtar. Menjëherë pas përfundimit të ndeshjes ishte e nevojshme ndërhyrja e ekipit mjekësor. Aktualisht gjendja e tij shëndetësore është stabile dhe Selmani gjendet jashtë rrezikur për jetë. Për sigurinë e tij, Astriti nesër do t’i nënshtrohet një kontrolli shtesë neurologjik. Sulmuesi ynë është në shtëpi, me familjen e tij, duke u rikuperuar. Mendimet tona janë për Astritin dhe i urojmë shërim të shpejtë dhe të plotë”, shkruan në komunikatën e Dinamo Bukureshtit.
27-vjeçari Selmani është shumë i rëndësishëm për skuadrën rumune.
Selmani është golashënuesi i katërt më i mirë këtë edicion në elitën e futbollit rumun.
Në 33 ndeshjet e zhvilluara, ka realizuar 12 gola dhe ka bërë gjashtë asistime. Ftohet herë pas here edhe nga Kosova.