Futboll

Rumania pret Kosovën me 3 mijë shikues më pak

Ndeshja Rumani - Kosovë

Tre mijë përkrahës më pak do t’i ketë Rumania në përballjen kundër Kosovës në “Arenën Kombëtare” në Bukuresht.

Federata e Futbollit e Rumanisë është dënuar nga UEFA me 52 mijë euro dhe mbylljen e një sektori prej 3 mijë shikuesve për thirrje dhe pankarta raciste të tifozëve gjatë ndeshjes së organizuar në “Stadionul Steaua” në Bukuresht. Rumania e fitoi 3:1 ndeshjen e 9 shtatorit ndaj Lituanisë.

Federata e Futbollit e Rumanisë u dënua me 22 mijë e 500 euro për një pankartë raciste dhe me 30 mijë euro dhe mbylljen e një sektori prej 3 mijë ulëseve për sjellje raciste të mbështetësve të saj.

“Një nga akuzat e UEFA-s ishte ‘pankarta diskriminuese kundër pakicës hungareze’”, shkruan sajti rumun “gsp.ro”.

Rumania është dënuar edhe më herët nga UEFA në lidhje me sjelljet e tifozëve. Federata e Futbollit e Rumanisë u dënua nga UEFA edhe gjatë verës për sjelljen e tifozëve rumunë në Evropianin “Gjermania 2024”.

UEFA kishte dënuar Federatën e Futbollit të Rumanisë me 52 mijë euro dhe një ndeshje pa shikues për ndeshjen mes Rumanisë dhe Kosovës, e cila ishte ndërprerë për shkak të mesazhit “Kosova është Serbi”.

Pankartat dhe thirrjet anti-Kosovë bënë që ndeshja e 12 shtatorit të vitit të kaluar të ndërpritej për 50 minuta.

Me Rumaninë në Prishtinë, Kosova kishte luajtur edhe më 16 qershor të vitit të kaluar. Ndeshja kualifikuese për “Euro 2024” kishte përfunduar 0:0. Edhe në “Fadil Vokrri”, një grup prej rreth 40 huliganësh bënë thirrje si “Kosova është Serbi”.

Rumania fitoi edhe më 6 shtator në Prishtinë me rezultatin 3:0. Por,

FFK-ja ishte gjobitur me plot 61 mijë euro për shkelje të ndryshme e të shumta gjatë ndeshjes së Ligës së Kombeve të UEFA-s.

Në ndeshjen e luajtur në Prishtinë nuk pati shikues të Rumanisë.

Kundër rumunëve, futbollistët e Kosovës do të kenë tjetër përballje. Ndeshja Rumani–Kosovë luhet më 15 nëntor në kuadër të grupit 2 të Ligës së Kombeve.

Biletat për ndeshjen kundër Kosovës në stadiumin ku pati thirrje dhe pankarta anti-Kosovë do të dalin në shitje të premten.

“Rumania kthehet në shtëpi pas dy fitoreve në udhëtim. ‘Trikolorët’ do të luajnë me Kosovën më 15 nëntor, ndërsa me Qipron më 18 nëntor. Të dyja ndeshjet do të luhen në ‘Arenën Kombëtare’ nga ora 20:45. Biletat do të dalin në shitje ‘online’ të premten”, shkruan në njoftimin e Federatës së Futbollit të Rumanisë.

Për Kosovën, ndeshja ndaj Rumanisë do të jetë finale. I duhet fitore me rezultat të thellë për të siguruar vendin e parë e po ashtu edhe ngritjen në Ligën B të Ligës së Kombeve. Rumania në Prishtinë fitoi 3:0.

Rumania është e para me 12 pikë, kurse Kosova në vendin e dytë me nëntë pikë. Qiproja është e treta me tri pikë, derisa Lituania e fundit pa pikë.