Mbrojtësi i Real Madridit, Antonio Rudiger, ka kërkuar falje për sjelljen e tij në fund të ndeshjes me Barcelonën të shtunën në finale të Kupës së Mbretit.
Reprezentuesi i Gjermanisë tentoi ta sulmonte gjyqtarin në sekondat e fundit të humbjes 3:2. Ai ishte larguar paraprakisht nga fusha për shkak të një lëndimi. Për shkak të sjelljes, u ndëshkua me karton të kuq.
“Definitivisht s’ka asnjë arsyetim për sjelljen time mbrëmë. Më vjen shumë keq për këtë. Luajtëm shumë mirë që nga pjesa e dytë e tutje. Pas 111 minutash nuk isha në gjendje të ndihmoja ekipin tim më shumë dhe para fundit bëra një gabim. I kërkoj falje prapë gjyqtarit dhe të gjithëve që i kam zhgënjyer mbrëmë”, ka shkruar ai në Instagram.
Reali u mposht pas vazhdimeve nga Barcelona. Fundi u përcoll me shumë tensione.