Kur Kosova po bënte hapat e parë në futbollin ndërkombëtar, Konfederata Evropiane e Futbollit (UEFA) prezantoi garën e re, të njohur si Liga e Kombeve. Qëllimi kryesor ishte zëvendësimi i miqësoreve, shpesh të pakuptimta, me një garë të re që do të zhvillohej krahas kualifikimeve për Kampionat Evropian e Kampionat Botëror. Natyrisht, më shumë ndeshje garuese nënkuptonin më shumë para për UEFA-n e rrjedhimisht më shumë të hyra për federatat nacionale.
Edicioni i parë i Ligës së Kombeve ishte ai 2018/2019. Ndeshjet e para të kësaj gare ishin luajtur më 6 shtator 2018.
Prej fillimit, Liga e Kombeve ishte e ndarë në nivele, përkatësisht në liga. Katër gjithsej. Në Ligën A paraqiten përfaqësueset më të suksesshme, ndërsa në Ligën D ato më të dobëtat. Për bazë fillimisht u mor rangimi i përfaqësueseve në UEFA. Kosova nisi në Ligën D.
Ishte dominuese në Grupin 3D, ku ishin edhe Azerbajxhani, Ishujt Faroe dhe Malta. U rendit e para me 14 pikë, pesë më shumë se Azerbajxhani i vendit të dytë. Madje nuk e pësoi asnjë humbje.
Ndonëse në D, si fituese e grupit, pos që kaloi në Ligën C për edicionin e dytë, Kosova siguroi paraqitjen edhe në plejofin për kualifikim në “Euro 2020”. Ai plejof paraqet njërën prej periudhave më të vështira të Kosovës deri më tani. Ishte kohë pandemie dhe jo të gjithë lojtarët mundën t’iu përgjigjen ftesës për të luajtur gjysmëfinalen me Maqedoninë e Veriut. Kishte akuza se disa prej lojtarëve edhe nuk shprehën shumë vullnet që të jenë në atë ndeshje.
Ndeshja ishte zhvilluar në Shkup më 8 tetor 2020, ndërsa Maqedonia e Veriut kishte fituar 2:1. Në gjysmëfinalen tjetër të plejofit të Ligës D ishin takuar Gjeorgjia dhe Bjellorusia. Gjeorgjia kishte fituar 1:0. Finalen e plejofit e fitoi Maqedonia e Veriut, 1:0, kështu siguroi paraqitje historike në Evropian.
Edicionet e Ligës së Kombeve zhvillohen mes cikleve kualifikuese për Evropian e Botëror dhe zakonisht kanë lidhje me kualifikimet. UEFA bën ndryshime të kohëpaskohshme në sistem të garave, por jo të mëdha.
Në edicionin e dytë të Ligës së Kombeve, 2020/2021, Kosova garoi në Ligën C. Ishte në grup të fortë me Slloveninë, Greqinë e Moldavinë. U rendit vetëm e treta me pesë pikë. Fitoren e vetme e shënoi ndaj Moldavisë në ndeshjen e fundit.
Edhe në edicionin 2022/2023, të tretin me radhë, Kosova luajti në C. Grupin e fitoi Greqia me 15 pikë, derisa Kosova u rendit e dyta me nëntë pikë. Irlanda e Veriut dhe Qiproja mblodhën nga pesë pikë. Për atë edicion, pozita e dytë nuk siguronte plejof.
Kjo ndryshoi për edicionin e katërt të Ligës së Kombeve, 2024/2025. Sërish “Dardanët” ishin në C, ndërsa mbetën në vendin e dytë në grup me 12 pikë. Grupin e fitoi Rumania që kaloi në B direkt. Qipro dhe Lituania mbetën prapa Kosovës. Si e dyta në grup, Kosova e kishte të drejtën të kërkonte kalimin në Ligën B përmes plejofit. Dhe këtë e shfrytëzoi maksimalisht.
U përball me Islandën, të enjten në Prishtinë dhe të dielën në Murcia të Spanjës, dhe fitoi me rezultatin e përgjithshëm 5:2. Islanda ishte e treta në grup në Ligën B dhe tani bie në Ligën C. Kosova nga C kalon në B për edicionin 2026/2027.
Kosovës i kanë mjaftuar katër edicione për të dalë në B, ku shumë vlerësojnë se edhe e ka vendin, bazuar në cilësinë e lojtarëve dhe klubet ku ata luajnë.
“Për shtatë vjet, prejse ekziston Liga e Kombeve, kemi kaluar nga Liga D në Ligën B. Është e arritur historike. Jam krenar me të gjithë bashkëlojtarët. Shpresoj që të kemi edhe suksese të tjera”, ka thënë kapiteni Amir Rrahmani.
Selektori gjerman Franco Foda vlerësohet se solli frymë të re në përfaqësuese. Suksesin e parë e kishte arritur Bernard Challandes e më pas Kosova ka pasur telashe me përzgjedhës. Me Fodan gjërat po lëvizin në drejtimin e duhur.
“Qëllimi i parë ishte të ngjiteshim në Ligën B e nga Liga B më tej. E dinim që kundërshtari ishte ekip shumë, shumë i mirë. Por unë isha i bindur se ne ishim në gjendje të ngjiteshim në Ligën B”, ka thënë Foda për sajtin zyrtar të FFK-së.
Në Ligën B, Kosova do të ketë punë me përfaqësuese serioze evropiane si Skocia, Hungaria, Polonia, Izraeli, Zvicra, Austria, Ukraina, Sllovenia, Gjeorgjia, Irlanda e Rumania. Ndeshjet në Ligën B, Kosova i ka në vjeshtën e vitit 2026. Fillimisht i gjithë fokusi është te kualifikimet për Kupën e Botës 2026.
Paraqitja në një ngjarje të madhe futbolli, Botëror apo Evropian, është synimi kryesor i përfaqësueses së Kosovës.