Kapiteni i Kosovës në futboll, Amir Rrahmani, ka shënuar gol të rëndësishëm për Napolin që po lufton për të siguruar ndonjë vend që dërgon në garat e UEFA-s për edicionin tjetër.
Rrahmani shënoi në barazimin e Napolit në udhëtim te Fiorentina 2:2 të premten mbrëma, në kuadër të xhiros së 37-të.
Fiorentina me këtë barazim mbetet me 54 pikë në vendin e tetë që dërgon në kualifikimet e Ligës së Konferencës.
Ka dy pikë më shumë se Napoli i vendit të nëntë.
Rrahmani e hapi serinë e golave në minutën e tetë, me golin që e shënoi me kokë.
Cristiano Biraghi në minutën e 40-të dhe M’Bala Nzola dy minuta më pas shënuan për 2:1.
Khvicha Kvaratskhelia në minutën e 57-të e vendosi rezultatin përfundimtar.
Fiorentina do të luajë edhe në finale të Ligës së Konferencës më 29 maj kundër Olympiacosit.
Napoli e mbyll kampionatin e Serie A më 26 maj, me duelin kundër Lecces në stadiumin “Diego Armando Maradona”.
Fiorentina i ka edhe dy ndeshje tjera në Serie A, me Cagliarin dhe me Atalantan.