Futboll

Rrahmani po e jeton ëndrrën, e falënderon pronarin e klubit rumun

Albion Rrahmani

Albion Rrahmani ishte shumë i kërkuar nga gazetarët rumunë që erdhën në Kosovë për ndeshjen mes dy përfaqësueseve. Sulmuesi i Sparta Pragës ka bërë emër në Rumani. Ai luajti një vit për Rapid Bukureshtin, ndërsa është larguar javë më parë në drejtim të Çekisë.

Rrahmani është shitur nga Rapidi për 5 milionë euro.

“Po ndihem shumë mirë në Sparta. Ishte hap shumë i mirë për mua, dua vetëm të përmirësohem. Jam krenar me veten dhe jam i lumtur që kam ndihmuar Rapidin. Do të kujtoj gjithnjë këtë moment, transferimin nga Rapidi dhe dua të falënderoj Dan Sucun, ai bëri shumë për mua. Rapidi është ekip i mirë dhe shpresoj se fiton diçka këtë vit. Lojtarët janë të mirë, ekipi po ashtu”, ka thënë Rrahmani për “Antena Sport”.

Dan Sucu është njeriu kryesor te Rapidi. I ka në pronësi 80 për qind të aksioneve të klubit. Sucu ka përfituar shumë nga Rrahmani, të cilin e shiti gati dhjetë herë më shtrenjtë se që e bleu nga Ballkani.

Me kampionen çeke, Rrahmani do të luajë në Ligën e Kampionëve, në fazën e ligës.

“Ishte ëndërr e imja të luaj në Ligën e Kampionëve, tani është realitet. Tani po e jetoj ëndrrën time. Do të kujtoj çdo gjë në Rumani, ishte hap shumë i mirë për mua që shkova atje. Rapidi është si familje për mua. Do ta përkrah dhe do të përcjell ndeshjet e tij. Në Rumani di të them vetëm ‘Forca Rapid”, ka shtuar Rrahmani.

Nga Rapidi te Sparta më parë kaloi edhe Ermal Krasniqi, që po ashtu është pjesë e Kosovës.

Ekipi i mediumit rumun, Fanatik, ka vizituar Podujevën për të prezantuar vendin ku Rrahmani është zhvilluar. Kjo është tjetër dëshmi për popullaritetin që Rrahmani ka në Rumani, ndonëse më nuk luan në këtë vend.