Futboll

Rrahmani nuk ka mundur të mendonte debutim më të mirë te Sparta e Pragës

Albion Rrahmani

Albion Rrahmani feston golin e debutimit kundër Malmos

I kushtoi Spartës mbi 100 milionë koruna (mbi 4 milionë euro). Klubi çek nuk ka paguar asnjëherë më shumë për një lojtar. Albion Rrahmani u shfaq në ndeshjen e parë dhe dëshmoi që një transferim i pazakontë mund të shpaguhet shumë mirë. Të martën mbrëma sulmuesit të Kosovës i mjaftuan 14 minuta në fushë për të vulosur kualifikimin në Ligën e Kampionëve, me golin e parë për Sparta Pragën

Edicioni i fundit te Rapid Bukureshti. 30 ndeshje, 19 gola.

Albion Rrahmani erdhi te Sparta Praga me pritje të mëdha dhe ndeshja debutuese i përshtatet shumë mirë kësaj. Ai u gjend shumë mirë në hapësirë të vogël në zonë dhe shtyu topin në rrjetë. Falë këtij momenti, Sparta do të luajë në fazën grupore të Ligës së Kampionëve për herë të parë pas 19 vjetësh.

“Ndeshja e parë, goli i parë dhe kualifikimi në Ligën e Kampionëve. Nuk do të mund të ishte më ëmbël për mua”, ka thënë Rrahmani për mikrofonin e Nova Sport pas fitores 2:0 të Sparta Pragës ndaj Malmos, në ndeshjen e kthimit të fazës së plejofit të Championsit.

“Jam i lumtur për veten dhe për familjen time, që është shumë krenare për mua”.

Debutimi i Rrahmanit te kampionia e Çekisë është çmuar edhe nga ekspertët e futbollit çek.

“E dimë se si është kur vjen në klub të ri dhe shënon menjëherë. Është shumë me rëndësi për vetëbesim. Sinqerisht, unë nuk isha shumë i mirë në debutime”, ka thënë legjenda çeke, Jan Koller.

“Ndeshjet e mia të para në klubet e reja zakonisht ishin të suksesshme. Kam shënuar dy gola për West Bromwichin, në shtëpi dhe në udhëtim”, ka thënë ish-sulmuesi i Spartas, Roman Bednar.

Kolleri dhe Bednari kanë pasur karrierë të suksesshme, ndërsa 23-vjeçari nga Podujeva, Rrahmani, është ende në fillim. Pas një viti të suksesshëm në Rumani, ai do të luajë në Ligën e Kampionëve në stacionin e ri në karrierë, në Pragë.

“E kam shijuar ndeshjen e parë falë tifozëve. Ishin të mahnitshëm. Pa ta do ta kishim të vështirë. Ata bënë punën e tyre në tribuna e ne e bëmë punën tonë në fushë”, ka vazhduar Rrahmani.

“Shpresojmë të vazhdojmë kështu në fazën grupore të Ligës së Kampionëve”, ka shtuar Albion Rrahmani.