Ylli i dikurshëm i Italisë, Roberto Baggio, u grabit me armë në shtëpinë e tij derisa ishte duke e shikuar ndeshjen e Italisë me Spanjën, të enjten mbrëma.
Të paktën pesë persona të armatosur janë futur në shtëpinë e Baggios, është bërë e ditur të premten.
Baggio e ka shtëpinë afër Vicenzas, ndërsa sulmi ndodhi rreth orës 22:00.
Njëri prej sulmuesve e goditi Baggion në kokë me kondakun e armës, kur ish-futbollisti i njohur po përballej me ta.
Hajdutët e mbyllën 57-vjeçarin Baggio dhe familjen e tij në një dhomë, ndërsa vodhën stoli, orë e para.
Pasi hajdutët u larguan, Baggio theu derën dhe thirri policinë. Ai u dërgua në spital, ndërsa plaga iu qep.
Familjarët e futbollistit nuk janë lënduar.