Futboll

Rikthimi i Shaqirit te klubi ku u bë yll

Xherdan Shaqiri

Në verën e vitit 2012, Xherdan Shaqiri u largua nga Baseli dhe u transferua te Bayern Munichu. Me skuadrën më të suksesshme gjermane e fitoi Ligën e Kampionëve dhe më pas u transferua tek Interi në Serie A. Nga Stoke City, “Shaq” lëvizi drejt Liverpoolit ku fitoi trofe sërish. Shaqiri më pas u transferua te Chicago Fire në ligën MLS në SHBA, nga Lyoni francez. Udhëtimi nëpër botë ka mbaruar.

Ish-futbollisti i Përfaqësueses së Zvicrës tani është futbollist i Baselit. 

Lajmi për kthimin e tij në Superligën e Zvicrës u konfirmua një ditë pas largimit nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës. 

Të premten Baseli njoftoi se ylli i futbollit zviceran po rikthehet në shtëpi. 
Futbollisti që u paraqit 125 herë me Zvicrën ka nënshkruar kontratë trevjeçare, deri në vitin 2027. Ai do ta bartë fanellën me numrin 10-të.

Sërish në sulm me Baselin

“Jam i mbushur me krenari dhe jam shumë i kënaqur që jam kthyer në qytetin e Baselit. Kam marrëdhënie të thella me klubin, të cilat nisën qëkur isha fëmijë. Si tifoz fillimisht e më pas edhe si lojtar”, ka thënë Shaqiri në komunikatën zyrtare të klubit zviceran. “Jam zhvilluar si futbollist te Baseli, nga ku e nisa karrierën time ndërkombëtare. Tani dua që të sulmoj sërish me Baselin dhe mezi pres që t’i shoh tifozët sërish”. 

Kthimi i tij te Baseli është pritur mirë edhe nga klubi. “Të presim ngrohtësisht në Basel, i dashuri Shaq!”, ka shkruar klubi. “Kemi folur me Xherdanin me javë të tëra dhe jemi jashtëzakonisht të lumtur që rikthimi i tij te Baseli u bë i mundur”, ka thënë drejtori sportiv i Baselit, Daniel Stucki. 

Shaqiri iu bashkua 20 herë kampionit të Zvicrës si futbollist i lirë, pasi kontrata me klubin amerikan u shkëput me marrëveshje të dyanshme. 

“Fakti që lojtari i një kalibri të tij po luan sërish me fanellën ‘kuqeblu’ në Superligë, është sinjal i fortë për klubin, qytetin e Baselit dhe rajonin, por edhe për futbollin e Zvicrës në përgjithësi”, ka vazhduar Stucki.

Debutimi i dytë i Shaqirit me Baselin

Xherdan Shaqiri nuk do të debutojë për Baselin në ndeshjen e Kupës së Zvicrës në udhëtim te Subingeni të shtunën. 

Sipas Baselit, fillimisht paraqitja e tij para tifozëve është planifikuar për fillimin e javës së ardhshme, ndoshta të hënën në mbrëmje. Një ditë më pas Shaqiri do të flasë për herën e parë për rikthimin e tij sensacional,  ndërsa stërvitjet me klubin e zemrës do t’i nisë të martën pasdite. 

Xherdan Shaqiri është futbollisti me më së shumti paraqitje për Baselin. 

Ai ka zhvilluar 130 ndeshje për skuadrën e suksesshme zvicerane. Ka shënuar 23 gola dhe ka kontribuuar me 27 asistime. 

Shaqiri e ka fituar tri herë kampionatin me Baselin, ndërsa i ka fituar edhe dy Kupa të Zvicrës. 
Por, a do të fitojë tjerë trofe me Baselin? “Blick” ka shkruar se një gjë është e sigurt. Superliga e Zvicrës do të ketë vëmendje edhe më të madhe.